Showbiz

Deborra-Lee Furness flet për “tradhtinë” pas ndarjes nga Hugh Jackman

Deborra-Lee Furness dhe Hugh Jackman

Deborra-Lee Furness dhe Hugh Jackman

Foto: Associated Press

Aktorja australiane Deborra-Lee Furness ka folur hapur për dhimbjen që po përjeton pas ndarjes nga bashkëshorti i saj, aktori i famshëm Hugh Jackman, duke e përshkruar përvojën si një “udhëtim traumatik të tradhtisë”.

“Ndiej dhembshuri për të gjithë ata që kanë kaluar nëpër këtë udhëtim traumatizues të tradhtisë. Është një plagë e thellë që dhemb, por unë besoj në një fuqi më të lartë, Zotin apo universin, që gjithmonë punon në të mirën tonë”, ka thënë Furness në një deklaratë, ka raportuar BBC.

Çifti ka dorëzuar kërkesën për divorc në New York më 23 maj. Ata kishin njoftuar ndarjen e tyre në muajin shtator të vitit 2023, pas 27 vjetësh martesë.

Furness ka shtuar se nga prishja e martesës së saj me Jackmanin, 56-vjeçar, ajo ka fituar “dituri dhe urtësi”.

“Ndonjëherë universi krijon rrethana të vështira për të na ndihmuar të gjejmë rrugën drejt vetes, drejt thelbit tonë të vërtetë dhe dashurisë për veten”, ka thënë 69 vjeçja.

Ajo e ka përshkruar këtë proces si të dhimbshëm, por thelbësor për rilindjen personale.

“Mund të dhemb, por në fund, të rikthehesh te vetja dhe të jetosh në përputhje me integritetin, vlerat dhe kufijtë e tu, është çlirim dhe liri”, ka thënë aktorja.

Deklarata u publikua fillimisht nga Daily Mail. Ndërkohë, Jackman nuk ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së ish-bashkëshortes. Ai aktualisht është në New York dhe së fundmi ka postuar në Instagram një video ku shihet duke kërcyer në ritmin e këngës “Bye Bye Bye” nga grupi muzikor NSYNC, një postim që shumë adhurues e kanë interpretuar si mesazh i tërthortë pas ndarjes.

Furness dhe Jackman u njohën në vitin 1995 gjatë xhirimeve të serialit australian “Corelli”, menjëherë pasi Jackman kishte mbaruar shkollën e aktrimit. Ata u martuan në vitin 1996 dhe më vonë adoptuan dy fëmijë.

Kur njoftuan ndarjen e tyre në vitin 2023, çifti kishte publikuar një deklaratë të përbashkët.

“Rruga jonë tashmë po ndryshon dhe kemi vendosur të ndahemi për të ndjekur rritjen tonë personale... Këtë kapitull të ri e fillojmë me mirënjohje, dashuri dhe mirësi”, thuhej në deklaratën e tyre.