Showbiz

Eminemi thotë se i frikësohej vdekjes për shkak të varësisë ndaj drogës

Eminem

Eminem

Foto: Associated Press

Ylli i muzikës rep, Eminem, ka folur hapur rreth telasheve me varësinë ndaj narkotikëve.

52 vjeçi u bë i varur nga doza ilaçesh që filloi t'i merrte në fillim të karrierës gjatë viteve 2000 dhe ka thënë se frikësohej se do ta humbte jetën nga kjo, ka raportuar FemaleFirst.

“Hyra në një rreth vicioz të depresionit prandaj më duhej të merrja më shumë ilaçe. Pastaj toleranca e trupit ndaj tyre bëhet aq e madhe saqë të duhen edhe më shumë e pastaj përfundon në mbidozë”, ka thënë këngëtari në dokumentarin e ri për të, me regji të Steven Leckart.

Tutje ai ka treguar se njëherë ishte zgjuar dhe e kishte gjetur veten në spital duke mos e ditur se çfarë i kishte ndodhur.

“U zgjova në spital i intubuar dhe nuk mund të çohesha ndërkohë që doja të lëvizja. Pas mbidozës shkova në shtëpi e më dukej sikur kisha nevojë për diçka... më dukej sikur do të vdisja po të mos bëja diçka”, ka thënë ylli.

Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshal Mathers ka munguar në lindjen e vajzës së tij, për shkak të varësisë dhe telasheve me drogën, ngjarje për të cilën thotë se ka qenë pikë kthese në jetë.

Ylli i repit, i cili është një nga artistët më të paguar, ka thënë se ka qarë kur i ka ndodhur kjo.

“Kam qarë sepse mendova me vete ‘Oh Zot, mungova në atë ngjarje’ dhe vazhdimisht i thoja vetes ‘A prapë do të mungosh në këso ngjarjesh? A do të mungosh në gjithçka? Nëse s’mund ta bësh për vete, të paktën bëje për ata’ dhe kështu e kuptova se nuk do ta bëj më kurrë”, ka thënë ai.

Leckart ka thënë se ka dashur të punonte në këtë projekt.

Duke folur për dokumentarin, Leckart, ka thënë për Us Weekly se është rritur duke dëgjuar muzikën e Eminemit.

“Jam rritur me hip-hopin e viteve 80’ e 90’. U bëra adhurues i muzikës së Eminemit në vitin 1999 dhe e kam parë të ngjitej drejt suksesit në MTV. Kur më erdhi mundësia të bisedoj me të dhe ekipin e tij për të bërë dokumentarin bazuar në këngët me ikonike që janë shkruar ndonjëherë, mendova me vete ‘Po sigurisht, kjo është e mrekullueshme’”, ka thënë Leckart.