Showbiz

Eminemi padit kompaninë australiane “Swim Shady”

Eminem

Eminem

Foto: Associated Press

Reperi amerikan, Eminem, ka ndërmarrë veprime ligjore kundër një kompanie australiane të veshjeve të plazhit të quajtura Swim Shady, duke thënë se emri i saj është shumë i ngjashëm me pseudonimin e tij, Slim Shady.

Në shtator, Eminemi, emri i vërtetë i të cilit është Marshall B. Mathers III, paraqiti një peticion në Zyrën Amerikane të Markave, duke kërkuar që t’i anulohet marka tregtare që i  ishte dhënë kompanisë. Sipas ligjit amerikan, kompania duhet të përgjigjet ndaj peticionit deri javën e ardhshme.

Avokatët e reperit akuzojnë markën me bazë në Sidney se ka krijuar ngjashmëri të rreme me Eminemin.

Reperi 53-vjeçar u bë i famshëm në vitin 2000 me publikimin e hitit “The Real Slim Shady” këngë që i solli edhe një çmim “Grammy” për përformancën më të mirë solo në zhanrin rep, shkruan BBC.

Sipas rregullatorit të bizneseve në Australi, kompania në fjalë u regjistrua në shtator të vitit 2023, fillimisht me emrin Slim Shade. Ajo shet çadra portative plazhi, çanta dhe aksesorë të tjerë për plazh.

Më herët këtë vit, marka aplikoi për mbrojtje tregtare në SHBA, dhe u miratua. Pak kohë më pas, ekipi ligjor i reperit paraqiti peticion për anulimin e saj.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Eminemi e kishte regjistruar markën Slim Shady në vitin 1999 në kohën e publikimit të albumit me të njëjtin emër. Avokatit e tij thonë se emri është bërë i famshëm dhe lidhet ekskluzivisht me karrierën e tij muzikore.

Firma juridike e specializuar në pronësi intelektuale Meyer West IP është listuar si përfaqësuese ligjore e Swim Shady.

Vitin e kaluar, një gjykatë australiane rrëzoi një vendim të mëhershëm që thoshte se këngëtarja amerikane, Katy Perry, kishte shkelur markën tregtare të stilistes australiane Katie Perry.

Stilisja,  e cila shiste veshje me emrin e saj të lindjes, kishte akuzuar këngëtaren për shkelje të të drejtave të autorit.