Emma Heming Willis ka treguar se festat e Krishtlindjeve nuk janë më si dikur, që prej momentit kur bashkëshorti i saj, aktori i njohur Bruce Willis, u diagnostikua me demencë frontotemporale dy vite më parë.
Ylli 70-vjeçar i filmit “Die Hard” ka marrë diagnozën në vitin 2023 dhe sipas Emmës, periudha festive është edhe më e vështirë, pasi Bruce dikur ishte gjithmonë në qendër të festimeve familjare.
Emma, e cila ka dy vajza me aktorin, Mabel, 13 vjeçe, dhe Evelyn, 11 vjeçe, ka shkruar në një ese në faqen e saj personale.
“Për mua, festat kanë kujtime të Bruceit në qendër të gjithçkaje. Ai e adhuronte këtë periudhë të vitit, energjinë, kohën me familjen, traditat. Ai ishte ai që bënte petullat, ai që dilte në borë me fëmijët, prania e qetë që lëvizte nëpër shtëpi ndërsa dita niste”, ka thënë ajo, ka raportuar FemaleFirst.
Emma ka shtuar se gjente qetësi në rutinën e të diturit saktësisht se si do të shkonte dita.
“Demenca nuk i fshin këto kujtime, por krijon hapësirë mes asaj kohe dhe tani. Dhe ajo hapësirë mund të dhembë”, ka thënë ajo.
Tutje bashkëshortja e yllit ka treguar se dhimbja dhe pikëllimi e kanë kapur në momente të papritura gjatë Krishtlindjeve.
“Pikëllimi mund të vijë teksa nxjerr zbukurimet nga magazina, teksa mbështjell dhuratat… ose në mes të një dhome plot me njerëz, apo në atë moment të qetë kur të gjithë kanë shkuar për të fjetur”, ka shkruar 47 vjeçja.
Modelja dhe sipërmarrësja ka thënë se e gjen veten duke sharë pa të keq emrin e Bruceit, ndërsa lufton me dritat festive ose merr përsipër detyra që dikur ishin të tijat. Jo sepse është e zemëruar me të, por sepse u mungon mënyra si ai dikur i udhëhiqte festat.
Emma ka shpjeguar se ka mësuar të përshtatë festimet për t’iu përshtatur gjendjes shëndetësore të Bruceit.
“Ekziston një keqkuptim se nëse festat nuk janë si dikur, atëherë ato janë bosh. Por kuptimi nuk kërkon që gjithçka të mbetet e njëjtë. Ai kërkon lidhje”, ka thënë ajo.
Duke përshkruar Krishtlindjet e këtij viti, ajo ka thënë se këtë sezon festash, familjarët e saj ende do t’i hapin dhurata dhe do të ulen bashkë për mëngjes.
“Por këtë herë, në vend që Bruce të bëjë petullat tona të preferuara, do t’i bëj unë. Do të shikojmë një film festiv. Do të ketë të qeshura dhe përqafime. Dhe pothuajse me siguri do të ketë edhe lot, sepse ne mund të vajtojmë dhe njëkohësisht t’i lëmë vend gëzimit”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Emma u përfshi së fundmi edhe në debatin e përvitshëm nëse filmi legjendar i vitit 1988, “Die Hard”, duhet konsideruar apo jo një film Krishtlindjesh.
“Mendoj se është e rëndësishme ta vendosësh ‘Die Hard’ në program, sepse është film Krishtlindjesh”, ka thënë ajo muajin e kaluar për revistën People.