Bashkëshortja e aktorit të njohur, Bruce Willis, Emma Heming Willis, ka sqaruar një nga keqkuptimet më të zakonshme rreth demencës frontotemporale (FTD), sëmundja me të cilën ai është diagnostikuar.
Duke folur në podcastin Bossticks, Emma ka shpjeguar se FTD nuk është e njëjtë me sëmundjen e Alzheimerit dhe se ekzistojnë disa forma të saj, ka raportuar FemaleFirst.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Forma që ka Bruce ndikon te gjuha. Ekziston një variant tjetër që ndikon në sjellje dhe një tjetër që prek lëvizjet”, ka thënë ajo.
Emma ka theksuar se shumë njerëz mendojnë se çdo formë e demencës shkakton humbje të kujtesës.
“Kur njerëzit pyesin: ‘A ju kujton ende?’, përgjigjja është po, sepse ai nuk ka Alzheimer, por FTD. Ky është një keqkuptim shumë i zakonshëm, sepse kur mendojmë për demencën, menjëherë na shkon mendja te humbja e kujtesës”, u shpreh ajo.
Sipas saj, megjithëse Alzheimeri është forma më e zakonshme e demencës, FTD është forma më e shpeshtë te personat nën moshën 60-vjeçare.
Emma ka folur gjithashtu për vështirësitë emocionale që sjell kujdesi ndaj bashkëshortit të saj.
“Është një lloj humbjeje e paqartë. Po vajton për dikë që është ende gjallë. Është fizikisht aty, por jo gjithmonë mendërisht apo emocionalisht”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se të gjitha format e demencës “marrin e marrin vazhdimisht, ndonjëherë shumë ngadalë”, ndërsa familjarët jetojnë me një ndjenjë të vazhdueshme pikëllimi.
Muajin e kaluar, vajza e aktorit Willis, Rumer Willis, ka folur për gjendjen e të atit dhe ka thënë se ndihet mirënjohëse që vajza e saj, Louetta, ka pasur mundësinë ta njohë gjyshin.
“Jam shumë mirënjohëse që mund ta vizitoj, edhe pse koha jonë së bashku është ndryshe tani”, ka thënë ajo.
Rumer ka zbuluar gjithashtu se babai i saj është bërë më i ndjeshëm pas diagnozës.
“Ai ka qenë gjithmonë një burrë i fortë dhe i ashpër, por tani ka një butësi të veçantë tek ai”, u shpreh ajo.
Bruce Willis, i njohur për rolet në filmat “Die Hard”, “Armageddon” dhe “The Sixth Sense”, është larguar nga jeta publike që prej diagnostikimit të tij. Ndërkohë, Emma vazhdon të përdorë platformën e saj për të rritur ndërgjegjësimin mbi demencën frontotemporale dhe sfidat me të cilat përballen kujdestarët e personave të prekur nga kjo sëmundje.