Showbiz

Filmat më fitimprurës në arkat filmike botërore për vitin 2025

Skenë nga filmi "Lilo and Stitch"

Skenë nga filmi "Lilo and Stitch"

Projektet e publikuara gjatë 2025-tës variojnë, nga filma me buxhet të lartë  e të suksesshëm në arkat filmike deri te projekte kinematografike intime të bazuara në personazhe. Filmat më të mirë të vitit i dhanë audiencës diçka për të folur, por gjithashtu na treguan pse i shikojmë ata: për arratisje, emocion, ndjenjë dhe frymëzim.

Listën, si filmi më fitimprurës i vitit 2025 e kryeson “Ne Zha 2”. Projekti kinematografik kinez ka arritur të shpallet kampion me 2.2 miliardë dollarë të arkëtuara nëpër kinema. Historia në film vazhdon menjëherë pas filmit të parë, duke i shfaqur personazhet, Ne Zha dhe Ao Bing, si shpirtra, pasi trupat e tyre u shkatërruan, ndërsa Mjeshtri Taiyi përpiqet t’i rikrijojë ata duke përdorur një lule magjike.

Historia përzien aksionin me temat e fatit dhe familjes, ndërsa Ne Zha fsheh fuqinë e tij të vërtetë për të kaluar sprovat dhe për të shpëtuar mikun dhe qytetin e tij nga demonët

Filmi i dytë më i shikuar i vitit 2025 është “Lilo & Stitch”. I realizuar me një buxhet prej  milionë dollarësh, projekti i përzier me animacion ka arritur t’i arkëtojë më shumë se 1 miliard dollarë nga shitja e biletave. “Lilo & Stitch” është një nga ripërpunimet më të suksesshme të Disneyt, duke iu bashkuar filmave të ngjashëm artistik si “The Lion King” i vitit 2019, “Beauty and the Beast” i vitit 2017 dhe “Aladdin” i lansuar në vitin 2019. Ai ndjek një krijesë të adhurueshme jashtëtokësore ngjyrë kaltër që përfundon në Hawaii dhe adoptohet nga një vajzë e vogël dhe motra e saj më e madhe. Dean Fleischer Camp e ka bërë regjinë e projektit, i cili vjen në ekran të madh dy dekada pas filmit origjinal të animuar të vitit 2002.

Në vendin e tretë radhitet filmi i bazuar në videolojën e famshme “A Minecraft Movie”. Nga shfaqja nëpër kinematë anekënd botës, ky projekt ka arritur të shes bileta në vlerë prej 957 milionë dollarësh.

“A Minecraft Movie” e ndjek historinë e një grupi të personave që nuk përshtaten në shoqëri. Ata tërhiqen përmes një portali në një botë të videolojërave. Për t’u kthyer në shtëpi, ata duhet të bashkëpunojnë me mjeshtrin ekspert të quajtur Steve (i portretizuar nga Jack Black) dhe ta shfrytëzojnë kreativitetin e tyre. Regjinë e filmit e ka bërë Jared Hess, kurse kasta përbëhet nga aktorë yje si, Jason Momoa, Emma Myers, Jennifer Coolidge, Danielle Brooks, Kate McKinnon dhe të tjerë.

Një tjetër vazhdim i suksesshëm ka arritur të jetë pjesë e top-pesëshes së filmave më të shikuar dhe më fitimprurës për vitin 2025, dhe ai është “Jurassic World: Rebirth”. Projekti shumë i dashur nga publiku pozicionohet në vendin e katërt me 861 milionë dollarë të fituara në arkat filmike botërore.

“Jurassic World Rebirth” e vazhdon historinë, pesë vjet pas ngjarjeve të filmit të kaluar “Jurassic World Dominion”, në një kohë në një kohë kur ekologjia e planetit është treguar kryesisht e papërshtatshme për dinozaurët. Ata që kanë mbijetuar, ekzistojnë në mjedise të izoluara ekuatoriale me klimë që i ngjan asaj në të cilën dikur lulëzonin. Tre krijesat më kolosale në tokë, det dhe ajër, brenda asaj biosfere tropikale, mbajnë në ADN-në e tyre çelësin e një ilaçi që do t’i sjellë njerëzimit përfitime të mrekullueshme shpëtimi jetësh. Zora Bennett është eksperte e operacioneve të fshehta, e cila është kontraktuar për të udhëhequr një ekip të aftë në një mision tepër sekret, për të siguruar materialin gjenetik. Kur operacioni i Zoras kryqëzohet me një familje civile, ekspedita e së cilës me varkë u përmbys nga dinozaurë ujorë, të gjithë e gjejnë veten të bllokuar në një ishull të ndaluar, që dikur kishte shërbyer si bazë kërkimore e fshehtë për parkun “Jurassic”. Pjesë e kastës janë aktorë të njohur si, Scarlett Johansson, Mahershala Ali, Jonathan Bailey dhe të tjerë, ndërsa regjinë e filmit e ka bërë, Gareth Edwards.

I pesti në listë renditet filmi “How to Train Your Dragon”, me gjithsej 633 milionë dollarë të fituara nga shfaqja nëpër kinematë botërore. Me regji dhe skenar të Dean DeBlois, i cili po ashtu ka qenë pjesë e ekipit realizues të filmit të animuar, projekti i realizuar në version artistik e shtjellon temën e njëjtë, ku përshkruhet raporti i ngushtë mes karaktereve, Hiccup dhe Toothless. Në një ishull të quajtur Berk, ku vikingët dhe dragonjtë kanë qenë armiq për gjenerata të tëra, djaloshi i quajtur Hiccup Horrendous Haddock III, i thyen traditat shekullore kur vendos të shoqërohet me dragoin e quajtur Toothless.

Lidhja e tyre e fuqishme por jo e zakonshme e zbulon natyrën e vërtetë të dragonjve, duke sfiduar kështu themelet e shoqërisë së Vikingëve. Kasta e filmit përbëhet nga aktorët, Mason Thames, Nico Parker, ylli skocez Gerard Butler dhe të tjerë.

Në top-dhjetëshe për nga shikueshmëria nëpër kinematë botërore përfshihen edhe filmat, “F1: The Movie” me 621 milionë dollarë të arkëtuara, “Superman” me 614 milionë dollar të fituara, “Mission: Impossible – The Final Reckoning” me shitje të biletave në vlerë prej 598 milionë dollarësh, “The Fantastic Four: First Steps” me arkëtimin e 516 milionë dollarësh dhe “Detective Chinatown 1900” me gjithsej 515 milionë dollarë të fituara.