Showbiz

George Clooney i shqetësuar për fëmijët dhe rrjetet sociale

George Cloonney

George Cloonney

Foto: Associated Press

Aktori George Clooney, ka pranuar se ndihet thellësisht i shqetësuar për mënyrën se si rrjetet sociale mund të ndikojnë te fëmijët e tij. Ai ka theksuar se përdorimi i tyre sjell rreziqe dhe pasoja.

Clooney është baba i binjakëve tetëvjeçarë, Alexander dhe Ella, me bashkëshorten e tij, avokaten e njohur Amal Clooney.

Në një intervistë për revistën 72 Magazine, ai ka thënë se nuk e di se di përdoren rrjetet sociale pasi që nuk ka llogari në asnjërën prej tyre dhe mendon se jeta e tij është shumë e thjeshtë pa këto aplikacione, ka raportuar FemaleFirst.

Por aktori ka thënë se po shqetësohet për fëmijët.

“Sigurisht që shqetësohem për fëmijët e mi. Rreziqet janë shumë më të mëdha dhe pasojat të ndjekin për shumë më gjatë. Ne përpiqemi t’i mbajmë sa më larg nga interneti. Por, e dini, disa nga detyrat i bëjnë në kompjuter. Dhe atyre u pëlqen të shikojnë ndonjë film”, ka thënë ai.

Ylli iu drejtua edhe mikes së tij, aktores së njohur Julia Roberts, duke e pyetur për përvojën e saj me fëmijët dhe internetin.

“Më intereson si e ke menaxhuar ti. A ua kufizove qasjen apo thjesht bisedove me ta për këtë?”, e pyeti ai.

Roberts, e cila është nënë e binjakëve 20-vjeçarë Hazel dhe Phinnaeus dhe e djalit 18-vjeçar Henry, me bashkëshortin Danny Moder, ka thënë se fëmijët e saj ishin të fundit nga shoqëria e tyre që morën telefona.

“Mendoj se ata ishin ndër fëmijët e fundit në grupin e tyre të shoqërisë që morën telefona. Kur ishin më të vegjël, unë dhe Danny do të konsideroheshim padyshim ndër prindërit më striktë. Jo që vendosnim rregulla të rënda, por rregullat ishin aty dhe nuk ndryshonin. Janë kufijtë e jetës dhe ata nuk lëvizin”, ka treguar ajo.

Aktorja ka shtuar se kjo qasje i ka ndihmuar fëmijët e saj të rriten të sigurt.

“Ti nuk më pyet mua dhe merr një përgjigje, e pastaj shkon te babai dhe merr një tjetër. Kjo nuk ndodh. Dhe kurrë nuk do të ndodhë. Mendoj se kjo është ajo që krijon stabilitetin që u jep ndjenjën e sigurisë, sepse ata e dinë që ekziston një botë e pandryshueshme dashurie dhe sigurie që është aty, pa kushte”, ka thënë tutje ylli i filmit “Pretty Woman”.