Showbiz

Gwyneth Paltrow thotë se ka pastruar gjakun nga toksinat

Gwyneth Paltrow

Gwyneth Paltrow

Foto: Associated Press

Aktorja e njohur, Gwyneth Paltrow, ka zbuluar se ka provuar një trajtim për pastrimin e gjakut pasi po përballej me lodhje kronike dhe mjegullim të mendjes.

53-vjeçja, e njohur edhe për platformën e saj të mirëqenies Goop, ka thënë se iu nënshtrua një terapie të quajtur “therapeutic plasma exchange” (shkëmbim terapeutik i plazmës). Sipas saj, kjo procedurë ndihmon në filtrimin e gjakut nga substanca që ajo i konsideron të dëmshme, si mikroplastikat dhe myku.

“Isha duke kaluar shumë probleme shëndetësore, ato lloj gjërash kronike dhe të paqarta që mjekësia zakonisht e ka më të vështirë t’i trajtojë: lodhje kronike, mjegullim të mendjes. Më interesonte shumë ideja që mund të filtronim nga gjaku gjëra që po na bënin më të sëmurë”, ka thënë ajo në një intervistë për Daily Mail.

Sipas raportimeve, Paltrow ka kryer pesë seanca të këtij trajtimi në një klinikë në Chicago, me një kosto totale rreth 41,904 euro.

Duke folur për efektin që ndjeu pas trajtimit, ajo ka thënë se u ndie mrekullueshëm.

“Ndjeva menjëherë një çlirim, qartësi dhe lehtësi”, ka treguar ajo.

Paltrow, e cila ka luajtur edhe në filmin “Iron Man”, ka pranuar më herët se është gjithmonë e gatshme të provojë trajtime të reja, edhe kur ato shkaktojnë reagime apo kritika.

“Kur je në proces të diçkaje të re, njerëzit mund të reagojnë fort: ‘Kjo është çmenduri! Pse po e bën këtë?’ Pastaj, pesë vjet më vonë, të gjithë janë në rregull me të. Kur dikujt nuk i pëlqen diçka që ti bën, apo nuk e ndan interesin tënd, kjo nuk ka të bëjë me ty”, ka thënë ajo në një intervistë për Women’s Health.

Një nga thëniet që ajo e konsideron më të vlefshme është: “E vetmja herë kur kritika dhemb është kur ti vetë ke një gjykim për veten për atë gjë. Nëse dikush të thotë: ‘Ti budallaqe, ke flokë të kuqe!’ dhe ti i ke flokët kafe, nuk të shqetëson”.

Sipas saj, është bekim të çlirohesh nga zinxhirët e perceptimeve të të tjerëve për ty.

“Kjo është pjesë e mirëqenies. Kam arritur në një pikë ku më pëlqen vetja. Bëj më të mirën si njeri. Nuk kam asgjë për të fshehur”, ka thënë aktorja.

Për trajtime të ngjashme ka folur edhe producenti dhe personaliteti televiziv Simon Cowell, i cili ka treguar se ndjek procedura për pastrimin e gjakut si pjesë e kujdesit për shëndetin me kalimin e viteve.

“Shkoj në një klinikë mirëqenieje ku ta marrin gjakun, e pastrojnë, e filtrojnë dhe ta kthejnë sërish në trup”, ka thënë ai në podcastin Rolling Stone Music Now.

Cowell ka shtuar se në klinikë kryen edhe analiza që “ta tregojnë moshën”.

“Bën gjithë këto teste dhe të tregojnë moshën, unë në fakt jam rinuar duke ngrënë më mirë, duke bërë më shumë ushtrime, më pak stres dhe duke marrë disa suplemente. Truri im është ende aty, kam ende energji”, ka thënë ai.