Modelja 28-vjeçare dhe bashkëshorti i saj, këngëtari Justin Bieber, u bënë prindër në muajin gusht të vitit 2024 me lindjen e djalit të tyre, Jack Blues. Hailey ka thënë se mëmësia i ka dhënë një forcë të brendshme që nuk e kishte më parë, dhe e ka bërë shumë më të sigurt në vetvete.
“E dua veten shumë më shumë tani sesa para se të kisha djalin tim. Fiton një forcë dhe vetëbesim të heshtur. S’mund të më thuash më ato gjëra që më thoshe dikur. Nuk luan dot me mua pasi kam sjellë në jetë një njeri”, ka thënë ajo në një intervistë për WSJ. Magazine.
Hailey ka pranuar se të qenit nënë e ka bërë të dëshirojë të kalojë më shumë kohë në shtëpi. Ajo ka kujtuar se tani këmbëngul që darkat me miqtë të jenë në orën 6 të pasdites, në mënyrë që të kthehet në shtëpi për gjumin e djalit.
“Më duket sikur koha është bërë shumë e çmuar. Të kesh fëmijë të bën ta kuptosh këtë”, ka thënë ajo.
Megjithëse përpiqet të jetë e pranishme në familje, Hailey mbetet e përkushtuar edhe ndaj punës. Ajo ka thënë se shpesh gjatë natës i vijnë ide për brendin e saj të bukurisë, “Rhode Beauty”, që e themeloi në vitin 2022.
“Shpesh rri në shtrat në orën 1 të mëngjesit dhe shkruaj diçka. Mund t’ua konfirmojë ekipi im, marrin ndonjë mesazh në orën 2 të mëngjesit ku u them ‘Mos e hapni deri në mëngjes!’”, ka treguar ajo.
Më herët këtë vit, Hailey e shiti kompaninë “Rhode Beauty” për “e.l.f. Beauty” në një marrëveshje që thuhet se vlen deri në 1 miliard dollarë. Ajo thotë se dëshiron t’i menaxhojë me kujdes këto para për të ardhmen e djalit.
“Dua ta ruaj këtë për të ardhmen e djalit tim. Është një shumë parash me të cilën nuk kam pasur të bëj më parë, prandaj dua të jem e mençur dhe ta investoj me kujdes”, ka thënë modelja.
Edhe pse e ka shitur kompaninë, Hailey ka mbetur pjesë aktive e saj si drejtoreshë kreative dhe udhëheqëse e inovacionit, si dhe konsulente për “e.l.f.”.
“Kurrë s’kam dashur ta shes kompaninë dhe të largohem. Ende jam unë ajo që teston produktet dhe merr pjesë në takimet e zhvillimit të tyre”, ka thënë ajo.
Modelja ka menduar edhe për krijimin e një linje kujdesi për lëkurën e fëmijëve. Ajo tregon se çdo mbrëmje kujdeset personalisht për lëkurën e Jackut.
“Bebi im çdo natë shkon në shtrat sikur të ishte një ’krofne që vezullon’. E lyej me produktet më të mira nga farmacitë franceze”, ka thënë ylli.