Showbiz

Hamillton dhe Kardashian të pandarë, para nisjes së sezonit të ri të Formula 1

Lewis Hamilton

Lewis Hamilton

Foto: Associated Press

Ylli i Formula 1, Lewis Hamilton, raportohet se po kalon “sa më shumë kohë të jetë e mundur” me yllin televiziv, Kim Kardashian, përpara nisjes së sezonit të ri të Formula 1 në muajin mars.

Burime të afërta me çiftin thonë se edhe nëna e Kimit, Kris Jenner, e miraton plotësisht këtë lidhje.

Lewis, 41 vjeç, dhe Kim, 45 vjeçe, u shfaqën për herë të parë publikisht së bashku në “SuperBowl”, në stadiumin Levi’s në Santa Clara të Kalifornisë.

Më herët, ata ishin përfolur për një lidhje romantike, por pa konfirmim publik.

Sipas burimeve, Hamilton ka qëndruar në Los Angeles, duke kaluar shumë kohë me Kimin dhe familjen e saj, përpara se t’i rikthehet përgatitjeve për sezonin e ri të Formula 1.

“Marrëdhënia e Kimit dhe Lewisit është intensive, por të dy janë të vendosur të ecin përpara. Ai dëshiron të kalojë sa më shumë kohë me të, sidomos tash që për disa javë do të rikthehet në përgatitjet për sezonin e ri të Formula 1. Lewis ka qenë në Los Anxhelos, duke kaluar kohë me Kimin dhe familjen e saj”, ka thënë një burim.

Raportohet se familja Kardashian e pëlqen shumë Hamiltonin, sidomos, nëna e saj, Kris Jenner.

“Të gjithë e adhurojnë, sidomos nëna e saj, Kris, e cila ka qenë shumë e lumtur që Lewis ka qenë pranë tyre. Ata e miratojnë plotësisht këtë lidhje dhe duan vetëm ta shohin Kimin të lumtur”, ka shtuar burimi.

Sipas raportimeve, Hamilton po përgatitet tani ta prezantojë Kimin me nënën e tij, Carmen Larbalestier, gjë që tregon se ai e merr seriozisht këtë marrëdhënie.

“Lewis dhe nëna e tij janë jashtëzakonisht të afërt. Dëshira për ta prezantuar Kimin me Carmenin tregon sa serioz është ai”, ka thënë burimi.

Hamilton dhe Kardashian u panë duke biseduar gjatë transmetimit televiziv të “SuperBowlit”, ndërsa një video që është bërë virale ka ngritur dyshime se ai po i fliste Kimit për prezantimin me nënën e tij.

Nicola Hickling, themeluese e LipReader, ka thënë për Daily Mail se Lewis ishte dëgjuar duke thënë: “Jo, unë nuk e çoj çdo vajzë te nëna ime. Ti do ta takosh një ditë, ajo mezi po pret të të shohë”.

Sipas saj, Kim ishte përgjigjur thjesht me “OK”.

Burime pranë Kimit thonë se familjarët e saj janë të kënaqur që ajo ka shijuar “disa takime” me Hamiltonin.

“Ajo është ndier gati që ta hapë veten sërish për një lidhje. Të gjithë rreth saj duan që Kim të jetë e lumtur, pas gjithçkaje që ka kaluar”, ka thënë një burim për Us Weekly.

Kim ka qenë më parë në lidhje me komedianin dhe aktorin Pete Davidson, si dhe me yllin e NFL-së, Odell Beckham Jr., pas ndarjes së bujshme nga ish-bashkëshorti i saj, reperi Kanye West.

Ndërkohë, Hamilton ka pasur një lidhje të gjatë, me ndarje dhe ribashkime, me këngëtaren Nicole Scherzinger.