Showbiz

“Heads of State” shënon premierën në Londër

John Cena, Priyanka Chopra Jonas dhe regjisori Ilya Naishuller

Foto: Associated Press

John Cena, Priyanka Chopra Jonas dhe regjisori Ilya Naishuller, e sollën filmin e tyre të fundit, “Heads of State”, në Londër.

Në film luan edhe ylli britanik, Idris Elba, por ai nuk qe i pranishëm në premierën e shoqëruar me qilim të kuq.

Në filmin, i cili i takon zhanrit aksion dhe komedi, kryeministri i Britanisë, Sam Clarke (i portretizuar nga Elba) dhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Will Derringer (i portretizuar në ekran nga Cena), kanë një raport jo shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe shquhen për rivalitetin goxha publik që rrezikon marrëdhëniet mes shteteve që ata i udhëheqin. Por kur bëhen shënjestër e një kundërshtari të huaj, që është shumë i fuqishëm dhe i pamëshirshëm, ata detyrohen të mbështeten tek njëri-tjetri për të mbijetuar. Përfundimisht, me ndihmën e agjentes së jashtëzakonshme të MI6, Noel Bisset (rol i luajtur nga Priyanka Chopra Jonas), ata arratisen dhe kështu e gjejnë një mënyrë për të bashkëpunuar me qëllim që ta pengojnë një komplot global që e kërcënon botën e lirë.

Dyshja Cena dhe Elba, po ashtu ka luajtur krahas njëri-tjetrit në filmin “The Suicide Squad”. Edhe këtë herë kimia mes tyre në ekran nuk ka munguar.

“Mendoj se gjithçka nis nga të qenit sa më pak i pakëndshëm që të jetë e mundur. Në këtë mënyrë, ke personazhe të përcaktuara dhe tiparet e tyre të karakterit janë shumë të dukshme për audiencën. Të jep një vend të mirë për të filluar dhe pastaj të ecësh ngadalë drejt mesit”, ka thënë Cena.

Regjisori Naishuller e pranoi se shpesh është dashur të tërhiqet dhe ta lejojë dyshen e famshme të Hollywoodit të veprojë sipas dëshirës së tyre, për të marrë rezultatet më të mira.

“Ata janë shumë të ndryshëm dhe në të njëjtën kohë, ajo që kanë të përbashkët është respekti i ndërsjellë për njëri-tjetrin. Duan ta shohin njëri-tjetrin të ketë sukses. U pëlqen të luajnë me njëri-tjetrin në film, por edhe jashtë tij. Shumë gjëra argëtuese qarkullojnë përreth tyre. Dhe kur i takova për herë të parë së bashku, ishte një ditë para sesionit të parë të fotografimit dhe Idrisi më tha, ‘eja në shtëpinë time, do të hamë mëngjes’. Unë shkova atje dhe gruaja e tij e dashur më pyeti nëse doja një pije të quajtur ‘mimosa’. Unë nuk pi dhe mendova se ishte si një koktej mëngjesi. Nuk e dija që kishte alkool. Sapo e përfundova pijen, menjëherë u deha shumë dhe thashë me vete, ‘ajo që do të bëj tani është thjesht të mbyll gojën dhe të vëzhgoj’. Dhe thjeshtë i vura re këta dy burra, janë shumë të talentuar, shumë të famshëm, shumë të suksesshëm dhe mënyra se si flasin me njëri-tjetrin më duket mjaft e rrallë”, ka deklaruar ai.

E pyetur për bashkëpunimin me Idris Elban dhe John Cenan, aktorja indiane Chopra Jonas u shpreh se mes tyre ka lindur miqësi shumë e mirë.

“Dua të them, kjo ishte pjesa më argëtuese, fakti që unë mund t’i komandoja. Dhe mendoj se nga kjo lindi një miqësi shumë e mirë, sepse ne thjesht thyem akullin dhe kaluam shumë mirë duke punuar me njëri-tjetrin. Por po, edhe mua më pëlqen të bëj akrobacitë e mia dhe më pëlqyen shumë skenat e mëdha të aksionit në këtë film. Dua të them, në jetën reale nuk të vjen rasti të shohësh kamionë të mëdhenj zjarrfikësish duke eksploduar. Prandaj po, është vërtet interesante dhe më pëlqejnë filmat e këtillë. Më pëlqen të jem pjesë e filmave në përgjithësi dhe projektet e tilla të mëdha të realizuara enkas për kinema, janë të preferuarit e mi”, ka deklaruar aktorja.

Në film po ashtu luajnë aktorët Paddy Considine, Stephen Root, Jack Quaid, Sarah Niles dhe Carla Gugino.

“Heads of State” është në dispozicionin e publikut mbarë botëror nga 2 korriku, përmes platformës “Prime Video”.