Showbiz

Helen Mirren e shqetësuar për ndikimin që kanë rrjetet sociale në standardet e bukurisë

Helen Mirren

Helen Mirren

Foto: Associated Press

Aktorja Helen Mirren, ka shprehur shqetësimin e saj për ndikimin që rrjetet sociale kanë në mënyrën se si njerëzit e shohin veten dhe pamjen e tyre.

80 vjeçja, ka thënë se rrjetet sociale po krijojnë standarde bukurie të paarritshme, që po ndikojnë negativisht si te gratë ashtu edhe te burrat.

“Nëse gratë apo burrat ndihen të vegjël, të mposhtur apo në depresion kur shikohen në pasqyrë dhe kanë mundësi financiare e mendore për të bërë ndryshime, në rregull. Por për shkak të rrjeteve sociale dhe asaj që aplikacionet mund të bëjnë, ti shikon një realitet të rremë dhe përfundon në depresion. Kjo është vërtet shumë e trishtueshme”, ka thënë ajo për revistën Elle.

Në vend të ndërhyrjeve estetike, Mirren sugjeron një zgjidhje shumë më të thjeshtë dhe praktike, ndriçimin e duhur.

“Para se të mendoni për ndonjë ndërhyrje, vendosni ndriçim shumë të mirë në banjë, në mënyrë që sa herë të shikoheni në pasqyrë, të ndriçoheni bukur dhe të dukeni mirë. Është shumë më lirë sesa një lifting fytyre”, ka thënë ajo.

Aktorja ka shtuar se është plotësisht serioze në këtë këshillë.

“Ndriçimi i keq është dëshpërues. Do të ishte një gabim i madh të bëhej kirurgji plastike në të njëzetat. Fytyra ndryshon me kalimin e kohës. Nuk më pëlqen të kritikoj njerëzit për atë që i bën të lumtur, por të përpiqesh të dukesh si një imazh i rremë i vetes do të ishte e tmerrshme”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Mirren ka folur edhe për dashurinë e saj të vazhdueshme për aktrimin, të cilin e përshkruan si një “aventurë emocionale”.

“Aventura me ulje-ngritje është gjëja më emocionuese”, ka thënë ajo për Variety.

Aktorja, e njohur për role në filma si “The Queen”, “Hitchcock”, “Eye in the Sky” dhe “Red”, ka thënë se gjithmonë e ka parë veten si një shpirt të lirë dhe jo si pjesë të një bote luksoze.

“E identifikoj veten më shumë me anën endacake dhe të lirë të profesionit tim sesa me diçka madhështore apo ‘snobe’”, ka thënë Mirren.

Ajo ka kujtuar fillimet e saj në teatër, ku ndjenja e bashkësisë ishte thelbësore.

“E nisa në teatër në një frymë kolektive, ku ishim të gjithë bashkë. Nuk kishte sistem yjesh. Ajo ishte dashuria ime e parë për performancën dhe tregimin e historive”, ka thënë aktorja.

Duke reflektuar për jetën e saj, Mirren ka shtuar se gjithë jetën e ka kaluar duke paketuar dhe shpaketuar valixhe, duke jetuar në hotele, dhe se është krenare për gjithçka që ka arritur.