Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Hidhet poshtë padia e Smokey Robinsonit kundër ish-punonjëseve që e akuzojnë për sulm seksual

Smokey Robinson

Smokey Robinson

Foto: Associated Press

Padia për shpifje e ngritur nga ylli i muzikës, Smokey Robinson, kundër ish-punonjëseve që e akuzuan për sulm seksual, është hedhur poshtë nga gjykata.

Ikona e muzikës Motown dhe bashkëshortja e tij, Frances, kishin paditur ish-punonjëset që e akuzojnë për sulm seksual, si dhe avokatin e tyre, pasi gjatë një konference për media në vitin 2025 ai u quajt “një përdhunues serik dhe i sëmurë”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Smokey Robinson dhe gruaja e tij, Frances

Por gjyqtari Kevin C. Brazile ka vendosur se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i mbajtur përgjegjës për shpifje.

“Ka prova që mbështesin Robinsonët, përfshirë mospërputhje dhe rrethana të pazakonta, si për shembull fakti që njëra prej tyre ka inkurajuar motrën të vazhdojë punën edhe pas abuzimeve të pretenduara”, thuhet në dokumentet gjyqësore të siguruara nga revista People.

Megjithatë, në dokumente thuhet tutje se provat për “keqdashje të qëllimshme” nuk i afrohen standardit të kërkuar, që duhet të jetë i qartë dhe bindës.

Gjykatësi ka shtuar se Robinsonët nuk arritën të dëshmojnë se paditëset kanë vepruar me “keqdashje të qëllimshme”.

Këngëtari 86-vjeçar ka ende procese të tjera të hapura kundër akuzuesve, duke i akuzuar ato për fshirje provash dhe vjedhje të pronës së tij personale.

Nga ana tjetër, ish-punonjëset, që kanë zgjedhur të mbeten anonime, e kanë akuzuar Robinsonin për shpifje, abuzim financiar ndaj një personi të moshuar, shkaktim të qëllimshëm të dëmit emocional dhe shkelje të tjera.

“Ky vendim është një fitore e fortë dhe e qartë për klientet tona dhe për të gjithë të mbijetuarit që refuzojnë të heshtin. Gjykata e pa këtë kundërpadi prej 500 milionë dollarësh për atë që është, një përpjekje e hapur për të frikësuar, diskredituar dhe ndëshkuar gratë që flasin për sulmin seksual”, ka deklaruar avokati i akuzeseve John W. Harris pas vendimit.

Ai gjithashtu ka thënë se Ligji anti-SLAPP në Kaliforni ekziston pikërisht për të ndalur këtë lloj abuzimi me sistemin ligjor, ku pasuria dhe pushteti përdoren si armë kundër atyre që kërkojnë drejtësi.

“Klientet tona kanë bërë gjithçka që u është kërkuar dhe më shumë, kanë dhënë dëshmi, në disa raste disa herë, dhe kanë bashkëpunuar plotësisht, ndërsa përballeshin me një fushatë të vazhdueshme presioni dhe sulmesh publike për t’i thyer. Kjo përfundon këtu”, ka thënë avokati.

Ndërkohë, avokati i Robinsonit, Christopher Frost, e quajti vendimin “të gabuar për pjesën e pretendimeve që u rrëzuan”, duke shtuar se “ka mjaftueshëm prova për të treguar keqdashje të qëllimshme nga ana e avokatëve.

Më e rëndësishmja, sipas tij, është se ai dhe pjesëtarët tjerë të ekipit mbrojtës mbeten të fokusuar në dëshmimin se pretendimet e akuzueseve janë të pavërteta dhe të fabrikuara dhe se edhe vetë gjykata ka pranuar në vendim se ka shumë mospërputhje në dëshmitë e tyre”.

Avokati ka shtuar se padia për shpifje u hodh poshtë “për arsye teknike”.

Në muajin maj të këtij viti, katër gra, përfshirë “Jane Doe 4”, e paditën këngëtarin e hitit “The Tears of a Clown”, duke kërkuar 50 milionë dollarë dëmshpërblim dhe duke e akuzuar për sulm dhe ngacmim seksual.

“Jane Doe 4” pretendon se u detyrua të jepte dorëheqje nga puna pas “sulmeve të përsëritura seksuale dhe ngacmimeve”.

Robinson i ka mohuar të gjitha akuzat.