Këngëtarja amerikane, Ice Spice, është përballur me kritika të ashpra në rrjetet sociale pasi u shfaq me një veshje tejet provokuese në një aktivitet të dedikuar për fëmijë në New York, raportoi të shtunën “Daily Mail”.
Artistja 25-vjeçare mori pjesë të mërkurën mbrëma në shfaqjen e filmit “The SpongeBob Movie: Search for SquarePants”, ku kishte zgjedhur një fustan të bardhë transparent, nën të cilin dukej veshja intime.
Pamja e saj, e shoqëruar edhe me një dekolte të theksuar, u konsiderua nga shumë ndjekës si e papërshtatshme për një premierë filmi për fëmijë.


Reagimet në platformën X ishin të menjëhershme dhe të shumta. Shumë përdorues e cilësuan paraqitjen e saj si të neveritshme dhe të papërshtatshme për një ngjarje të tillë.
“Të veshësh këtë në një event për fëmijë është me të vërtetë e neveritshme”, ka thënë një prej komentuesve në rrjet.
“Çfarë zgjedhjeje e çuditshme për të promovuar një film për fëmijë”, komentoi një tjetër.
Pavarësisht kritikave, Ice Spice ka një lidhje profesionale me filmin, pasi kënga e saj e re “Big Guy” është pjesë e kolonës zanore.