Showbiz

Ish-bashkëshorti i Halle Berryt zbulon arsyen pse i dha fund martesës me të

Halle Berry dhe David Justice

Halle Berry dhe David Justice

Foto: Associated Press

Në një intervistë për podcastin “All the Smoke” me Matt Barnes, ish-bejsbollisti i skuadrës Atlanta Braves, David Justice, ka folur hapur për periudhën kur ishte i martuar me fituesen e çmimit “Oscar”, aktoren Halle Berry.

“Ajo më kërkoi të martoheshim pas vetëm pesë muajsh që njiheshim. Nuk e di nëse zemra ime ishte me të vërtetë aty. Nuk doja ta bëja të ndihej keq duke i thënë ‘jo’. Ishim mirë, po vibronim, ishim ende në fazën e muajit të mjaltit”, ka thënë Justice, ka raportuar USA Today.

Çifti, i martuar nga viti 1993 deri në 1997, shpesh qëndronte larg njëri-tjetrit, pasi Berry ishte jashtë vendit për xhirime.

“Nuk pati shumë vëmendje negative derisa vendosa ta lë në vitin 1996”, ka thënë ai.

Justice ka treguar se disa muaj pas martesës filloi të dyshonte për të ardhmen e tyre.

“Jam nga Midwesti dhe e shikoja nusen si dikë që duhej të gatuante, të pastronte. Mendova ‘Nëse kemi fëmijë, a është kjo gruaja me të cilën dua të ndërtoj familje?’ Në atë kohë, si djalë i ri, ajo nuk gatuante, nuk pastronte dhe nuk më dukej edhe aq si grua shumë e denjë për të qenë nënë”, ka thënë Justice.

Në fund, ai ka thënë se e kishte kuptuar se aktorja nuk ishte personi me të cilin donte ta kalonte jetën, ani pse ai beson që ajo marrëdhënie do të mund të shpëtohej.

“Sinqerisht, ndoshta do ia kishim dalë, nëse do të dija për terapinë. Isha i ri dhe kisha pasur vetëm një marrëdhënie serioze para saj. Nuk kisha shumë dije apo përvojë mbi marrëdhëniet”, ka thënë ai.

Justice shprehu pakënaqësi që Berry nuk e sqaroi publikisht një incident të vitit 1996, kur ajo tregoi për revistën People se një ish-partner i paidentifikuar e kishte goditur në kokë duke i shpuar daullen e veshit dhe duke i shkaktuar humbje dëgjimi.

“Ajo e la botën të mendojë se isha unë. Mendoj se ishte shumë gabim nga ana e saj”, ka thënë ai.

Pavarësisht kësaj, ai ka pranuar se mund ta kishte menaxhuar ndarjen më mirë.

“E shoh tani dhe them: ajo me të vërtetë më donte. Mund ta kuptoj pse do të ishte e zemëruar. Sepse, imagjino ta duash dikë dhe ai të thotë që do të ndahet, pa asnjë mundësi që ta rikthesh. Duhet të ketë qenë e vështirë për të. Nuk dola gradualisht nga marrëdhënia, u largova menjëherë. Mund ta kisha bërë më butë”, ka thënë ai.

Aktualisht, Berry 58-vjeçe, është në një lidhje të gjatë me muzikantin Van Hunt. Ajo ka qenë e martuar më parë me Olivier Martinez (2013-2016) dhe Eric Benét (2001-2005). Ka dy fëmijë: Nahlan 17 vjeçe, me ish-partnerin Gabriel Aubry, dhe Maceon 11 vjeç, me Martinezin.

David Justice, 59 vjeç, është i martuar që 24 vjet me Rebecca Justicen, me të cilën ka dy fëmijë.