Showbiz

Ish-bashkëshorti e quan të rrezikshme Baileyn për djalin e tyre

Halle Bailey dhe DDG

Halle Bailey dhe DDG

Foto: Associated Press

YouTuberi dhe reperi DDG (emri i vërtetë i të cilit është Darryl Dwayne Granberry Jr.) ka kërkuar në gjykatë që ish-partnerja e tij, aktorja dhe këngëtarja Halle Bailey, të mos lejohet të udhëtojë në Itali me djalin e tyre 17-muajsh, Halo.

Në dokumentet gjyqësore të siguruara nga revista PEOPLE dhe media të tjera, DDG e ka përshkruar Baileyn si “rrezik emocional dhe psikologjik për fëmijën”, duke pretenduar se ajo ka bërë vazhdimisht “kërcënime për vetëlëndim dhe vetëvrasje”.

Ai ka theksuar se nëse djali udhëton jashtë SHBA-së, ai “nuk do të ketë më mbrojtjen e gjykatës apo mekanizma emergjentë të ndërhyrjes”.

Në dokumentet e paraqitura, reperi 27-vjeçar pretendon se Bailey, 25 vjeç, gjatë lidhjes së tyre trevjeçare, shpesh ka përdorur “shantazhe emocionale për të ushtruar kontroll”, duke përfshirë, sipas tij, kërcënime për t’i dhënë fund jetës me armën e tij personale në vitin 2023.

“Duke marrë parasysh kërcënimet për vetëdëmtim, besoj se Petitioner (Bailey) përbën rrezik për sigurinë e djalit tonë dhe nuk duhet të lejohet ta marrë atë me vete në Itali për një periudhë dy mujore”, ka shkruar ai.

DDG ka kërkuar kujdestari të plotë ligjore dhe fizike, ose ndryshe, një marrëveshje ku fëmija do të kalojë dy ditë me njërin prind dhe pesë ditë me tjetrin, me ndërrime të rregullta.

Ndërkohë, sipas TMZ, Bailey ka kundërshtuar zyrtarisht kërkesën e tij në gjykatë dhe kërkon leje për të udhëtuar në Itali me djalin për arsye pune. Ajo gjithashtu ka kërkuar një urdhër ndalimi ndaj DDG dhe rrethit të tij të afërt, që të mos publikojnë informacione online për të, procesin gjyqësor apo djalin e tyre.

Më herët gjatë muajit majit, Bailey ishte shpallur përkohësisht kujdestare e vetme ligjore dhe fizike për djalin, si dhe kishte marrë një urdhër ndalimi të përkohshëm ndaj DDG, i cili përfundoi më 4 qershor me seancën e caktuar gjyqësore.

Në dokumente të tjera të siguruara nga Page Six, Bailey ka deklaruar se ka kërkuar kujdestari të plotë pa e njoftuar DDG, sepse, sipas saj, “kisha frikë se dhuna do të përsëritej dhe se pala tjetër do të largohej me fëmijën”.

“E kuptoj se nuk ka mënyrë për ta qetësuar Darrylin. Nuk mund ta lejoj më këtë abuzim. Sa herë që dëshiron të më dëmtojë, ai fillon të më përgojojë para miliona ndjekësve të tij”, ka shkruar Bailey.

Ajo tutje ka thënë se ai pretendon se ajo po ia fsheh djalin dhe se po shkon me burra të tjerë.

“Më pas, unë marr kërcënime dhe urrejtje në rrjete sociale. Duket sikur e përdor gjithçka për të krijuar dramë për fansat e tij”, ka shkrua ajo në dokumente të tjera gjyqësore.