Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Jeff Bezos me bashkëshorten do të jenë bashkënikoqirë nderi të “Met Galas”

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez Bezos

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez Bezos

Jeff Bezos dhe Lauren Sánchez-Bezos do të jenë zyrtarisht bashkënikoqirë nderi të, “Met Galas”, mbrëmjes më të famshme të modës që mbahet çdo vit në të hënën e parë të muajit maj në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, ka raportuar The New York Times.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për shtyp nga Muzeu Metropolitan i Artit, ku fillimisht u publikua kodi i veshjes për edicionin e ardhshëm të mbrëmjes që organizohet për të mbledhur fonde për Institutin e Kostumeve. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Vogue ka raportuar se kodi zyrtar për veshjen është “Fashion Is Art” (Moda është Art), ndërsa “Met Gala” shpesh përshkruhet si “mbrëmja e vitit”, një spektakël i përzierjes së famës, modës dhe luksit.

Megjithatë, detaji më i rëndësishëm nuk ishte kodi i veshjes, por fakti, i përfshirë në fund të njoftimit, se Jeff dhe Lauren Sánchez-Bezos do të jenë bashkënikoqirë nderi të mbrëmjes.

Çifti ishte shpallur më herët sponsor kryesor i ngjarjes dhe i ekspozitës që e shoqëron atë, por kjo është hera e parë që ata marrin rolin e bashkënikoqirëve të nderit, një pozicion simbolik, që zakonisht përfshin pritjen e të ftuarve dhe një vend të dukshëm në majë të shkallëve ikonike të muzeut.

Emrat e tyre u renditën në fund të një paragrafi të gjatë ku përmendeshin bashkënikoqirët e tjerë të mbrëmjes: ylli i muzikës Beyoncé, aktorja e mirënjohur Nicole Kidman, sportistja Venus Williams dhe drejtoresha e gjigandit medial “Condé Nast”, organizatorja kryesore e kësaj mbrëmje, Anna Wintour, si dhe 24 anëtarët e komitetit organizues.

Sipas The New York Times, lajmi kaloi pothuajse pa bujë, duke lënë të kuptohet se publikimi i tij mund të jetë bërë me kujdes.

Muzeu nuk komentoi pse ky informacion u publikua në këtë mënyrë. Zakonisht, detajet për “Met Galan” zbulohen në faza të ndryshme për të rritur pritshmëritë.

Ky është njoftimi i tretë për edicionin 2026. Megjithatë, është e rrallë që sponsorët kryesorë të jenë njëkohësisht edhe bashkënikoqirë nderi.

Reagimet dhe kritikat

Përfshirja e çiftit Bezos në “Met Gala” ka shkaktuar reagime edhe më herët. Kur u njoftua në Instagram se ata do të ishin sponsorë, shumë komentues shprehën pakënaqësi.

Marrëdhënia mes Lauren Sánchez-Bezos dhe Anna Wintour, drejtoresha globale editoriale e prestigjiozes “Vogue” dhe figura kryesore që qëndron pas “Met Galas”, është parë nga shumëkush si shenjë e kohës. Kjo marrëdhënie u bë edhe më e dukshme kur Lauren Sánchez-Bezos u vendos në ballinën digjitale të Vogues në muajin qershor, me rastin e dasmës së saj, pasi më parë revista kishte botuar një profil shumë pozitiv për të në vitin 2023.

Ajo është një nga të paktat nuse që ka dalë në ballinën e Vogues, mes tyre përfshihen edhe zonja e parë e SHBA-së, Melania Trump (në vitin 2005) dhe ylli televiziv Kim Kardashian (në vitin 2014).

Për disa kritikë, kjo u duk si një lëvizje që vendos fuqinë dhe paranë mbi kriteret tradicionale të modës dhe stilit.

Dimensioni politik

Edhe politika ka hyrë në këtë debat. Anna Wintour është deklaruar publikisht kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe ka thënë se ai është “i vetmi person që nuk do ta ftoj kurrë në ‘Met Gala’”. Ndërkohë, Jeff dhe Lauren Sánchez-Bezos kanë dhuruar për fondin e inaugurimit të Trump dhe morën pjesë në ceremoninë e betimit në janar.

Spekulime të vjetra sugjerojnë se Jeff Bezos mund të jetë një blerës i mundshëm i gjigandit medial “Condé Nast”, kompania mëmë e Vogues. Ai ka shprehur prej kohësh interes për ta afruar modën e lartë me Amazon, ndërsa Vogue shihet si porta kryesore drejt kësaj bote.

Ani pse kjo nuk ka ndodhur, lidhja me “Met Galan” mund të shihet si një hap i rëndësishëm në këtë drejtim.

Vetë Anna Wintour e ka përshkruar Lauren Sánchez-Bezosin për CNN-in si “një dashuruese e madhe e kostumeve dhe padyshim e modës”, duke shtuar se “Jemi shumë mirënjohës për bujarinë e saj të jashtëzakonshme”.

Në muajin janar, çifti u fotografua pranë Wintourit në pasarelat e modës së lartë apo couture të brendit të mirënjohur francez “Dior” dhe brendit “Schiaparelli”, ku Lauren u shfaq me kostume elegante dhe më klasike se zakonisht.

Më vonë, ajo u pa duke bërë blerje në atelie të modës së lartë me disenjatorin Law Roach, duke forcuar idenë se roli i saj në “Met Gala” ishte vetëm çështje kohe.

Tani, gjithçka është konfirmuar.

Më 4 maj, Jeff dhe Lauren Sánchez-Bezos do të qëndrojnë në krye të shkallëve të “Met Galas”.
Për shumëkënd, sipas The New York Times, kjo do të jetë prova më e qartë se mbrëmja më e madhe e modës është shndërruar në simbolin më të dukshëm të një epoke të re luksi dhe fuqie, një “epokë e re e artë”.