Showbiz

Jessie J dëshiron të ndryshojë narrativën rreth diagnozës së kancerit

Jessie J

Jessie J

Foto: Associated Press

Këngëtarja, Jessie J, ka thënë se dëshiron të ndryshojë mënyrën se si shoqëria flet dhe reagon ndaj kancerit, duke i inkurajuar njerëzit, sidomos gratë, të flasin hapur dhe të kujdesen për shëndetin e tyre.

Këngëtarja 37-vjeçare iu nënshtrua një mastektomie dhe operacioni rindërtues të gjoksit në muajin qershor, pasi u diagnostikua me kancer gjiri. Ajo ka thënë se është krenare që ka folur publikisht për betejën e saj shëndetësore, sepse kjo ka ndihmuar gra të tjera të kontrollohen në kohë.

“Kjo është padyshim mundësi për ta ndryshuar atë narrativë: ‘Nëse ke kancer, duhet të zhdukesh dhe ta përballosh privatisht, në heshtje. Askush s’duhet ta dijë. Askush s’do të të shohë kur dukesh keq. Kthehu vetëm kur gjithçka të ketë mbaruar dhe të jetë perfekte’. Kjo nuk jam unë”, ka thënë Jessie në një intervistë për Women’s Health.

 

Ajo ka shtuar se edhe në momentet më të dhimbshme ka zgjedhur të mos fshihet.

“Edhe kur pata abortin, dola në skenë të nesërmen. U ula aty dhe isha duke vuajtur, dhe kjo ishte shfaqja…”, ka thënë këngëtarja.

Jessie ka shpjeguar se hapja e saj ka pasur ndikim real te njerëzit.

“Dëgjoj shpesh nga njerëzit që më thonë se një shoqe kontrolloi gjoksin pasi më pa mua duke folur për këtë. Ata gjetën një masë, ishte kancer, por u kap herët. Më rrëqethet lëkura. Prandaj po, do të vazhdoj të flas për sa e rëndësishme është kjo”, ka thënë ylli.

Jessie, e cila është diagnostikuar me problem shëndetësor në zemër kur ishte fëmijë dhe pësoi një sulm të lehtë në tru në moshën 19-vjeçare, beson se sfidat e saj shëndetësore kanë një qëllim më të madh.

“Që e vogël, më kanë ndodhur shumë gjëra. Gjithmonë kam pasur probleme shëndetësore të çuditshme që mjekët nuk i shpjegonin dot. Asgjë nuk më ka thyer. Dhe besoj se i kam kaluar të gjitha këto për të ndihmuar njerëzit, edhe nëse është thjesht duke shkruar këngë për to”, ka thënë ajo.

Prezantuesja televizive Davina McCall ka zbuluar së fundmi se është diagnostikuar me kancer gjiri. Edhe pse nuk njihen personalisht, Jessie i ka dërguar asaj një mesazh mbështetës.

“Nuk kam folur kurrë më parë me Davinën, por i shkrova dhe i thashë: ‘Kjo është ajo që më ka ndihmuar mua, ndoshta mund të të ndihmojë edhe ty’. Këshilla ime për këdo është e njëjtë, për dikë që është shtatzënë, që ka lindur, ka pasur abort apo që është diagnostikuar me kancer: kjo është gjëja jote. Ti krijon ‘flluskën’ që të nevojitet për të mbijetuar”, ka thënë ylli.

Këngëtarja e hitit “Domino”, e cila ka një djalë dyvjeçar, Sky, me partnerin Chanan Colman, ka vendosur të shtyjë operacionin për të performuar në Capital FM’s Summertime Ball. Vendimi shkaktoi reagime të forta, por Jessie ka thënë se ishte zgjedhja e duhur për shëndetin e saj mendor.

“I mërzita shumë njerëz duke shtyrë operacionin për të bërë atë koncert. Por e dija që ajo shfaqje do të kishte ndikim të madh tek unë, si Jessica. Ndihem fajtore sepse jo të gjithë ata që përballen me operacione nga kanceri e kanë një moment të tillë”, ka thënë ajo.

Duke folur për përvojën në skenë, ajo shtoi se njerëzit e duan më shumë për veshjen se sa për këndimin.

“Ishin 80 mijë njerëz që brohorisnin, jo sepse këndoja mirë apo sepse u pëlqente veshja ime. Ishte: të duam, jemi me ty dhe shpresojmë që gjithçka të shkojë mirë. Ne nuk jemi të detyruar të rrimë ulur, të heshtim dhe të qajmë sepse kemi kancer. Unë do ta këndoj ‘Bang Bang’ sa më fort që të mundem”, ka thënë ndër të tjera këngëtarja.