Këngëtarja britanike Jessie J ka treguar se diagnostikimi me kancer gjiri ia ka ndryshuar “tërë botën” dhe mënyrën si e sheh jetën.
37-vjeçarja në muajin qershor ka njoftuar se ishte diagnostikuar në fazë të hershme të sëmundjes, dhe këtë javë ka folur hapur për përvojën e saj gjatë një fjalimi emocional në Music Industry Trust Awards në Londër, ka raporuar FemaleFirst.
“Ndihem me fat që bëj muzikë dhe e ndajë me botën. Secili prej nesh luan rol që kjo rrotë të vazhdojë të sillet, në një botë që po ndryshon çdo ditë. Të gjithë ne po kalojmë diçka në jetë, gjëra që i bartim me vete në punë ose i lëmë në shtëpi. Por për mua, ky vit ma ka ndryshuar tërësisht botën. Më ka ndryshuar perspektivën, mënyrën si i zgjedh betejat e mia. Kur vdekja të troket në derë, dhe ti duhet ta hapësh, ta përballosh e ta përzësh me shkelm... gjithçka ndryshon”, ka thënë ajo.
Autorja e hitit “Price Tag” ka pranuar javën e kaluar se ishte ndier “e zhgënjyer” pasi operacioni i saj i dytë në gji u shty, ani pse ajo kishte anuluar turneun në SHBA pikërisht për ta kryer ndërhyrjen.
“Disa prej jush ndoshta e dini, disa jo. Doja të bëja një operacion të dytë para dy javësh. Një javë më parë, kirurgu im më tha se situata dukej më e ndërlikuar se sa mendonte dhe më dërgoi te një kirurg tjetër. Ai më tha se operacioni mund të presë pak. Sigurisht që u ndjeva e zhgënjyer, sepse kisha anuluar gjithë turneun, por është diçka që nuk e kontrolloj dot. Dy kirurgë, dy mendime të ndryshme”, pati shpjeguar ajo në një video në Instagram.
Jessie kishte kaluar një mastektomi në qershor, pak pasi mori diagnozën. Megjithatë, vetëm disa javë pas operacionit, ajo u rikthye në skenë për të performuar në BBC Radio 2 In The Park në Essex, vendlindjen e saj.
Para publikut, ajo u tregua e sinqertë për gjendjen shëndetësore.
“Disa prej jush ndoshta e dini, disa jo, por sot bëhen 11 javë që kam bërë operacion për kancer gjiri.
Kur dola në skenë herën e kaluar, nuk e dija çfarë do të ndodhte. Ende jam në proces shërimi... Jam jashtëzakonisht mirënjohëse që jam këtu. Nuk keni ide sa shumë më gëzon, t’ju shoh duke kënduar këngët e mia pas kaq shumë vitesh. Ndjehem si një fëmijë i vogël që ende po bën atë që do më shumë në botë”, ka thënë ajo.