Showbiz

John Legend: Dashuria dhe mbështetja janë çelësi i martesës së lumtur

Chrissy Teigen and John Legend

Chrissy Teigen and John Legend

Foto: Associated Press

Këngëtari, John Legend, ka treguar sekretin e martesës së tij me modelen, Chrissy Teigen, me të cilën është martuar që nga viti 2013.

“Thjesht ta mbështetni njëri-tjetrin dhe ta duani njëri-tjetrin. Të keni krahun e njëri-tjetrit. Ne kemi kaluar gjithçka bashkë, shumë gëzim, por edhe dhimbje, sfida dhe pikëllim. Besoj se fakti që e dimë se kemi krahun e njëri-tjetrit dhe se mbështesim njëri-tjetrin në çdo gjë, është shumë e mirë… kur e ke këtë si themel, është gjithçka”, ka thënë ai për US Weekly.

Aktualisht, 46-vjeçari, është në turne për të shënuar 20-vjetorin e albumit të tij debutues “Get Lifted”, i publikuar në vitin 2004.

“Jam shumë i emocionuar. Kemi bërë disa koncerte në SHBA, por kemi shumë të tjera në tetor, nëntor dhe dhjetor. Dhe është sikur festë! Janë 20 vjet të karrierës sime, 20 vjet të albumit tim të parë”, ka thënë ai.

Në një intervistë për People, ai e përshkroi këtë turne si “moment festimi dhe mirënjohjeje”.

“’Get Lifted’ më prezantoi me botën dhe tani, 20 vjet më vonë, e festoj këtë moment me njerëzit që kanë qenë me mua që nga dita e parë, por edhe me fansat e rinj që e kanë zbuluar albumin gjatë viteve. T’i rikthehem këtyre këngëve dhe t’i interpretoj sërish live ka qenë diçka tepër e veçantë”, ka thënë këngëtari.

Ai gjithashtu ka treguar se në koncertet e turneut do të ketë “mysafirë surprizë dhe plot dashuri”.

“Po e luajmë të gjithë albumin ‘Get Lifted’ live, me disa detaje të reja, disa mysafirë të papritur dhe shumë dashuri. Përfshijmë edhe disa nga hitet më të mëdha të karrierës sime”, ka shtuar Legend

Ylli pati theksuar se është i përkushtuar të kujdeset për shëndetin e tij gjatë turneut.

“Fokusohem të kujdesem për veten, ushtroj, meditoj, fle gjatë ditës dhe pijë shumë ujë. Nuk flas shumë gjatë ditës që ta ruaj zërin për koncertin. Por natyrisht gjithmonë lidhem me familjen, sepse kjo më sjell shumë gëzim”, pati thënë ndër të tjera artisti.