Ish-kryeministri kanadez dhe ylli amerikan i popit po kalojnë kohë bashkë në Montreal, ka raportuar Politico.

Justin Trudeau është parë në koncertin e Katy Perry në Montreal të mërkurën mbrëma, vetëm pak ditë pasi të dy u fotografuan duke darkuar bashkë dhe duke shëtitur qenin e saj në park.

Faqja e njohur e showbizit TMZ ka publikuar të hënën një foto të ish-kryeministrit kanadez dhe këngëtares amerikane në një restorant luksoz në Montreal. Më herët gjatë ditës, ata ishin parë duke ecur në park me qenin e Perry.
Pjesëmarrja e Trudeau në koncertin e saj i ka ndezur spekulimet, me disa portale që po raportojnë një lidhje të mundshme mes tyre, sidomos pasi të dy janë beqarë.
Në fillim të këtij muaji u raportua se Perry është ndarë nga aktori Orlando Bloom, me të cilin ishte në lidhje për shtatë vjet. Nga ana tjetër, Trudeau dhe bashkëshortja e tij Sophie u ndanë në vitin 2023 pas 18 vjetësh martesë.

Trudeau ishte kryeministër i Kanadasë nga viti 2015 deri në mars të këtij viti, kur dha dorëheqje pas paralajmërimit në janar se do të tërhiqej nga politika. Në dhjetor 2024, aleatja e tij e ngushtë, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland, u largua nga detyra pas përplasjeve të brendshme për mënyrën se si qeveria duhej t’u përgjigjej kërcënimeve të Donald Trump për të vendosur 25% taksë mbi mallrat dhe shërbimet kanadeze.
Ndërkohë, në muajin prill, Perry bëri histori duke u bërë ylli i parë i popit që udhëton në hapësirë me raketën e Blue Origin të Jeff Bezos.