Pas 31 vjetësh, fansat e serialit të famshëm “Friends” do të kenë mundësinë të ulen në divanin legjendar të portokalltë.
Kafeneja “Central Perk Coffeehouse” do të hapet në Times Square, New York, në Seventh Avenue , 47th Street, këtë vjeshtë, ka raportuar Variety.
Sipas njoftimit zyrtar, ftohen “vendasit, turistët dhe superfansat të hyjnë në versionin real të një prej vendeve më të dashura televizive”.
Kjo nuk është thjesht nostalgji televizive, por një eksperiencë e plotë. Kafeneja do të ketë një pjesë ku do të jetë edhe divani i portokalltë i famshëm i serialit dhe do të shërbejë gjashtë lloje origjinale kafesh me tematikë të serialit “Friends”.
Shefi i njohur i kuzhinës Tom Colicchio, fitues i çmimit “James Beard” dhe yll i “Top Chef”, është pjesë e ekipit që ka punuar në menynë e kafenesë.
“‘Friends’ është një nga ato seriale të rralla që vazhdon t’i bashkojë njerëzit, brez pas brezi. Në qendër të historisë ka qenë gjithmonë ‘Central Perk’, kafeneja ikonike dhe vendi i miqve, aty ku ndaheshin të qeshura, lidhje dhe momente të paharrueshme… dhe mbetet edhe sot”, ka thënë Peter vn Roden, nga Warner Bros.
Paul Landino nga CenPer Holdings ka thënë se kur hapën kafenenë e parë Central Perk në Boston, synimi i tyre ka qenë gjithmonë të zgjeroheshin në New York.
“Aty ku u zhvillua edhe vetë seriali. Hapja në Times Square, i njohur në mbarë botën, është mundësi unike për ta bërë këtë vizion realitet”, ka thënë Landino.