Këngëtarja e muzikës country Karley Scott Collins ka mohuar publikisht zërat se ajo dhe këngëtari, Keith Urban janë në një lidhje romantike dhe se po jetojnë bashkë, pas ndarjes së tij nga aktorja, Nicole Kidman.
Të dielën, më 18 janar, 26-vjeçja, e cila është artiste që performon në hapjen e koncerteve në turneun botëror High and Alive të Urbanit në vitin 2025, ka reaguar ndaj thashethemeve që po qarkullonin në media dhe rrjete sociale, ka raportuar People.
Duke ripostuar në Instagram Stories një artikull me titullin “Keith Urban është zhvendosur me Karley Scott Collins? Spekulime të reja pas divorcit”, ajo shkroi: “Ju lutem, kjo është absolutisht qesharake dhe e pavërtetë”.

Revista PEOPLE ka kontaktuar përfaqësuesit e Urban dhe Scott Collins për koment, por nuk ka marrë përgjigje të menjëhershme.
Thashethemet për një lidhje mes Urbanit dhe Collins u shfaqën vetëm disa javë pasi divorci i Urbanit nga aktorja Kidman u finalizua, pas 19 vjetësh martesë.
Sipas dokumenteve të marrëveshjes së divorcit, të siguruara nga PEOPLE dhe të dorëzuara më 6 janar, çifti ka hequr dorë nga çdo pretendim për mbështetje financiare për vete dhe për fëmijët. Vajzat e tyre, Sunday, 17 vjeçe, dhe Faith, 15 vjeçe, nuk do të përfshihen në pagesa alimentacioni, ndërsa secili do të mbulojë vetë shpenzimet ligjore.
Shtëpia e Kidmanit do të mbetet vendbanimi kryesor i vajzave, ndërsa plani prindëror parashikon që të dy prindërit të sillen në mënyrë të respektueshme dhe mbështetëse ndaj fëmijëve.
“Ata duhet të sillen mirë me njëri-tjetrin dhe me secilin fëmijë në mënyrë që të ofrojnë një marrëdhënie të qëndrueshme, të dashur, ani pse janë të divorcuar. Nuk do të flasin keq për njëri-tjetrin apo për familjarët e prindit tjetër,” thuhet në dokument.
Marrëveshja shton gjithashtu se të dy prindërit do t’i inkurajojnë fëmijët të ruajnë marrëdhënie të shëndetshme me secilin prej tyre dhe të ndihen të sigurt në të dy familjet.
Në muajin shtator, një burim kishte thënë për PEOPLE se Urban kishte “krijuar në heshtje një shtëpi të re” dhe ishte larguar nga banesa familjare para ndarjes zyrtare.
“Jeta e tyre po shkonte në drejtime të ndryshme. Dukej sikur ndarja ishte e pashmangshme” pati thënë burimi, ndërsa një tjetër kishte shtuar: “Nuk ka qenë sekret në rrethin e tyre që Keith dhe Nicole kishin kohë që jetonin të ndarë”.
Edhe pse burime të tjera kanë thënë se Kidman kishte luftuar për ta shpëtuar martesën, aktorja ka folur më vonë për Harper’s Bazaar për përvojat e saj dhe mënyrën se si ka përballuar momentet e vështira në jetë.
“Sa më shumë rritem, aq më shumë dua të ndaj gjërat që kam mësuar. Kam parë shumë, kam përjetuar shumë dhe kam mbijetuar shumë. Dua ta përcjell këtë dije dhe këtë mençuri”, ka thënë Kidman.
Ajo ka shtuar se ka diçka shumë të fortë në të diturit se, sado e dhimbshme, e vështirë apo shkatërruese të jetë diçka, ekziston një rrugë për ta kaluar.
“Do të duhet ta ndjesh dhimbjen. Nuk mund ta mpish. Do të ndihesh e thyer ndonjëherë, por nëse ecën ngadalë dhe me butësi, edhe pse mund të marrë shumë kohë, ajo kalon”, pati thënë Kidman.