Këngëtarja, Katy Perry, ka pranuar se ka hequr dorë nga burrat britanikë pas dy martesave të dështuara dhe pas thashethemeve se po shijon një romancë të re me ish-kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.
Këngëtarja 40-vjeçare ka qenë më parë e martuar me aktorin Russell Brand dhe aktorin Orlando Bloom, por të dyja marrëdhëniet përfunduan. Tani, sipas mediave britanike, Perry është parë në një jaht pranë bregdetit të Kalifornisë duke u përqafuar me Trudeaun, 53 vjeç, gjatë një pushimi të shkurtër nga turneu i saj botëror.
Gjatë koncertit të saj në O2 Arena të Londrës, të hënën në mbrëmje (13 tetor 2025), Perry bëri shaka me publikun për jetën e saj sentimentale.
“Londër, Angli, ju jeni kështu në një të hënë në mbrëmje pas një dite të tërë pune dhe shkolle? S’është çudi që bie gjithmonë në dashuri me meshkuj anglezë… por jo më!”, ka cituar The Sun të ketë thënë ylli.
Kur një fans i bëri propozim martese gjatë koncertit, ajo iu përgjigj me humor: “Ah, sikur të ma kishe propozuar këtë 48 orë më parë!”.
Komentet e saj erdhën vetëm disa orë pasi u publikuan fotografitë që e tregojnë këngëtaren duke u përqafuar me Trudeaun në jaht. Sipas raportimeve, fotot janë bërë nga një turist që e kishte njohur ish-kryeministrin nga tatuazhi në krah.
Perry u nda nga Bloom, me të cilin ka një vajzë të vogël, Daisy, më herët gjatë këtij viti.
Ndërsa Trudeau është beqar që nga viti 2023, pas ndarjes nga bashkëshortja e tij Sophie Grégoire, me të cilën ka tre fëmijë.
“Ata janë të interesuar për njëri-tjetrin, por do të duhet pak kohë për të parë se ku do të shkojë kjo. Ajo po udhëton nëpër botë, ndërsa ai po riorganizon jetën e tij pas mandatit si kryeministër i Kanadasë. Por mes tyre ka një tërheqje. Kanë shumë gjëra të përbashkëta”, ka thënë për revistën People, një burim i afërt me ta.
I njëjti burim ka shtuar se përgjegjësitë personale të secilit mund ta ngadalësojnë këtë lidhje, por ata mund ta bëjnë të funksionojë.