Showbiz

Kim Kardashian fajëson “ChatGPT-në” për dështimet në provime

Kim Kardashian

Kim Kardashian

Foto: Associated Press

Ylli televiziv, Kim Kardashian ka treguar se përdor inteligjencën artificiale për ta ndihmuar në mësimet e saj në juridik, por duket se bashkëpunimi nuk po i ecën shumë mirë.

Në një test me detektor gënjeshtrash për “Vanity Fair”, të udhëhequr nga Teyana Taylor, Kim ka pranuar se e përdor robotin bashkëbisedues “ChatGPT” për ndihmë gjatë studimeve, ka raportuar Entertainment Weekly.

“E përdor për këshilla ligjore. Kur më duhet përgjigjja e ndonjë pyetjeje, i bëj foto dhe ia dërgoj”, ka thënë ajo.

Por ylli i reality showt “The Kardashians” ka pranuar se përgjigjet e “ChatGPT-së” shpesh janë të gabuara, gjë që e ka ndikuar negativisht në provimet e saj.

“Janë gjithmonë gabim. Më ka bërë të dështoj në provime disa herë. Pastaj unë mërzitem, i bërtas dhe i them: ‘Ti më bëre të dështoj! Pse ma bëre këtë?’ Dhe ai ma kthen përgjigjen”, ka thënë ajo.

Kardashian ka shtuar me shaka se përpiqet ta bëjë AI-n të ndihet fajtor për gabimet e tij.

“I them: ‘Hej, do të më bësh të dështoj. Si ndihesh për këtë? Ti duhet t’i dish këto përgjigje, unë po vij tek ti për ndihmë.’ Dhe më thotë: ‘Kjo të mëson të besosh instinktet e tua. Ti e dije përgjigjen që në fillim’”, ka thënë ylli.

Në fund, Kim ka pranuar se e konsideron “ChatGPT-në” si “mik toksik”.

“Duhet të bëjnë më mirë, sepse po mbështetem tek ata që të më ndihmojnë. Dhe pastaj (AI) më jep mësime jete, më kthehet në psikologe, dhe më thotë pse duhet të besoj në vete, pasi më dha përgjigjen e gabuar!”, ka thënë tutje Kim.

Ajo madje tregon se i dërgon shokëve të saj pamje nga bisedat me “ChatGPT-në”.

“Bëj screenshot dhe ua dërgoj në grupin tonë: ‘A mund ta besoni si po më flet kjo? Është e çmendur!’”, ka treguar themeleuesja e brendit te veshjeve te brenshme “SKIMS”.

Ndërkohë, Kim luan rolin e një avokateje në serialin e ri të FX, “All’s Fair”, me Naomi Watts, Niecy Nash-Betts, Sarah Paulson dhe vetë Teyana Taylor. Seriali është krijuar nga Ryan Murphy, me të cilin Kim ka punuar më parë në serialin “American Horror Story: Delicate”.

Ylli i “Keeping Up With the Kardashians” është ende në rrugëtimin e saj për t’u bërë avokate. Ajo kaloi “baby barin” (provim fillestar i studentëve të juridikut për studentë të caktuar në SHBA) në vitin 2021 dhe ka dhënë provimin e madh të “bar-it” këtë korrik, tashmë po pret rezultatet.