Një organizatë amerikane nëpërmjet një publikimi të mërkurën ka shkruar për përfshirjen e një kosovari të dënuar për vjedhje bankash, në një videoklip të reperit me famë botërore, Drake.
Një burrë nga Kosova, që sot shfaqet në jetën luksoze në Toronto dhe madje edhe në një video të reperit të famshëm kanadez, Drake, ka një të kaluar të errët kriminale në SHBA dhe është përmendur në disa hetime policore në Kanada.
Hamdi Lataj, 62 vjeç, me prejardhje shqiptare nga Kosova, jeton në një nga ndërtesat më luksoze të Torontos, ndjek ndeshje të “Toronto Raptors” nga rreshtat e parë dhe shfaqet në videoklipin e vitit 2023 të reperit Drake për këngën “Polar Opposites”, ka raportuar organizata amerikane OCCRP( Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
Në videoklip, ai shihet duke biseduar dhe qeshur me reperin në një ambient të errët që i ngjan një salle lojërash fati, ndërsa personazhet mbajnë xhaketa të kuqe me shqiponjën shqiptare.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se Lataj është dënuar në SHBA për komplot për vjedhje banke. Ai ishte pjesë e një grupi që tentoi të hynte në një bankë në Brooklyn duke çarë çatinë.
Ai u kap nga policia teksa po largohej me makinën e tij Cadillac dhe u dënua me dy vjet burgim.
“Grupi kishte planifikuar dhe kryer disa vjedhje bankash dhe biznesesh në zonën e New York-ut”, thuhet në dokumentet zyrtare.
Pas lirimit në vitin 2003, ndaj tij u hapën procedura për deportim.

Ani pse nuk ka precedent penal në Kanada, emri i tij është përmendur në disa hetime, përfshirë për trafikim droge, ku përmendet edhe Joaquín “El Chapo” Guzmán, një nga trafikantët më të njohur të drogës në botë.
“Kemi arsye të besojmë se individë, përfshirë Guzmán dhe Lataj, kanë kryer veprën penale të trafikimit të kokainës”, pati deklaruar një zyrtar i policisë.
Megjithatë, sipas të dhënave, as Lataj dhe as Guzmán nuk janë akuzuar zyrtarisht në atë rast.
Në një tjetër hetim në Ontario, ai u vu nën vëzhgim si pjesë e një rrjeti të dyshuar për lojëra të paligjshme dhe pastrim parash, ku përfshiheshin edhe anëtarë të Hells Angels dhe mafies italiane ‘Ndrangheta’. Edhe në këtë rast, ai nuk rezulton i akuzuar.
Pavarësisht së kaluarës, Lataj duket se jeton një jetë të pasur. Sipas raportimit, ai ka kompani me adresë në një penthouse luksoz në Toronto. Është fotografuar në vende VIP në ndeshje basketbolli. Ka bërë donacione mbi 200 mijë euro për projekte në Kosovë, ndërsa u bë i njohur për publikun më të gjerë pasi u shfaq në videon “Polar Opposites” të Drake, e cila ka miliona shikime në platformën YouTube.
Nuk dihet nëse Drake ishte në dijeni të së kaluarës së tij. As reperi dhe as Lataj nuk kanë komentuar publikisht.
Videoklipi paraqet një botë të errët dhe kriminale, një skenar që, sipas disa analistëve, në këtë rast përputhet në mënyrë të çuditshme me realitetin.
“Ai nuk vjen nga rrugët e varfra si shumë reperë të tjerë. Është diçka krejt ndryshe – një ish-aktor që u bë yll i hip-hop-it”, ka shpjeguar eksperti i muzikës Alan Cross.
Ndërkohë, reperi Kendrick Lamar e ka kritikuar Draken në këngën “Euphoria”, duke e quajtur: “Një mashtrues që përpiqet të pranohet”.