Ikona e basketbollit amerikan, LeBron James, ka thënë se kur të pensionohet si sportist do të donte të niste karrierë të re në aktrim.
I pyetur nëse do të donte të aktronte nëpër filma, ka thënë se është i hapur rreth mundësive.
“Mendoj se do të shkoj kah shkrimi i filmave dhe marrja e roleve. Nëse roli është i mirë dhe nëse mendoj se do të mund ta luaj mirë, nuk do të më pengonte aspak ta bëja. Mendoj se do të mund të shndërrohesha në dikë tjetër, që nuk është LeBron James”, ka thënë ai për Hollywood Reporter.
40-vjeçari, i cili aktualisht luan për Los Angeles Lakers, ka treguar se ka luajtur “një version” të vetvetes në filmin e vitit 2015 “Trainwrack”, “Space Jam: A New Legacy” të vitit 2021, si dhe ka huazuar zërin në filmat e animuar si “SpongeBob SquarePants” e “The Simpsons”.
“Në ‘Trainwrack’ nuk e kam pasur emrin LeBron James, por ishte një version i imi, vetja ime tipike, vetëm se po luaja si shoku më i mirë i Bill Haderit në atë film”, ka thënë tutje basketbollisti.
Ai ka cekur se çdo rol që Hollywoodi do t’i ofronte, do t’i duhej të priste që ai të pensionohet nga basketbolli, por jo detyrimisht.
“Po, do të më pëlqente te eksploroj, dhe nëse me vijën skenarë e më ofrohen mundësi për të aktruar e kam kohë, sigurisht, pas karrierës në basketboll, nuk do të hezitoja t’i hedhja një sy e të shikoja se a do të mund t’i realizoja”, ka thënë ylli.
Viteve të fundit, James ka bërë filma përmes kompanisë së tij të produksionit, “SpringHill”, e cila së fundmi është bashkuar me kompaninë “fulwell 73” për ta krijuar “Fulfull Entertainment”.
Megjithatë, atleti e biznesmeni ka thënë se nuk dëshiron të krijojë bazë në Hollywood.
“Jo, nuk kam ndonjë figurë të preferuar të industrisë së filmit që do të doja të bëhesha si ai. Dua të vazhdoj të bëj atë që po bënim deri më tash dhe dua të vazhdoj të bëj skenarë para gjithçkaje. Mendoj se tregimi i historive është gjëja më e mirë që mund të bëjmë, jo vetëm për vete, por edhe për adhuruesit e familjen”, ka thënë ai.