Kënga e njohur e shqiptares me famë botërore, Dua Lipa, “Levitating”, ka arritur një tjetër majë të suksesit duke kaluar shifrën prej 1 miliard shikimesh në platformën YouTube, më pak se pesë vjet pas publikimit. Ky është videoklipi i tretë i këngëtares që arrin këtë shifër pas “New Rules” (2017) dhe “No Lie”, ka raportuar Billboard.
Videoklipi, i realizuar nga regjisori Warren Fu në bashkëpunim me TikTok, e paraqet këngëtaren duke hyrë në një portal galaktik që ngjan me një ashensor retro. E veshur me fustan të kaltër me shkëlqim dhe grim me yje në qepalla, Lipa dhe miqtë e saj kërcejnë nën ritmet e hitit botëror.
Në videoklip shfaqet edhe reperi DaBaby, bashkëpunimi me të cilin e çoi këngën deri në vendin e dytë të listës Billboard Hot 100 në vitin 2021.
“Levitating” është një nga hitet më të mëdha të albumit “Future Nostalgia” të vitit 2020 dhe u bë një prej këngëve më të përfaqësueshme të atij viti.
Sipas të dhënave të vitit 2025, kjo këngë është tashmë ndër 10 më të mëdhatë e shekullit në listën e Billboard Hot 100, duke lënë pas edhe këngë të mëdha si “As It Was” e këngëtarit Harry Styles apo “Circles” e Post Malone.
Prej asaj kohe shumë gjëra kanë ndryshuar për këngëtaren.
Lipa është fejuar me aktorin Callum Turner dhe ka publikuar albumin “Radical Optimism” në vitin 2024.
Por, ndërkohë, ajo është distancuar nga DaBaby pas komenteve të tij homofobike në festivalin “Rolling Loud” në vitin 2021.
“Isha e befasuar dhe e tmerruar nga fjalët e DaBabyt. Nuk e njoh si personin me të cilin kam punuar”, pati thënë këngëtarja në një reagim publik. “Nuk e njoh si personin me të cilin kam punuar.”