Showbiz

Michael Douglas thotë se nuk ka më dëshirë të aktrojë

Michael Douglas

Michael Douglas

Foto: Associated Press

Aktori dhe producenti Michael Douglas, fitues i dy çmimeve “Oscar”, ka treguar se mund të mos kthehet më në aktrim, ka raportuar The Guardian.

Gjatë një konference për shtyp në festivalin e filmit “Karlovy Vary” në Çeki, ku mori pjesë për 50-vjetorin e filmit “One Flew Over the Cuckoo’s Nest”, 80 vjeçi, Douglas, ka thënë se s’ka qëllim të kthehet në aktrim.

“Nuk kam ndonjë qëllim të vërtetë për t’u kthyer. Përveç nëse del diçka vërtet speciale për mua”, ka thënë ai.

Roli i tij i fundit ishte Benjamin Franklin në serialin “Franklin” të Apple TV+, xhiruar në vitin 2022 dhe publikuar në 2024.

“Kam pasur karrierë shumë të ngarkuar. Nuk kam punuar që nga viti 2022, me qëllim, sepse kuptova se duhej të ndaloja. Kam punuar gati 60 vjet dhe nuk doja të isha nga ata njerëz që vdesin në shesh xhirim”, ka thënë ai.

Douglas tutje ka treguar se është i kënaqur me pushimin.

“Jam shumë i lumtur që po pushoj. Nuk kam ndonjë qëllim të madh. Por nuk them që jam në pension, sepse nëse del ndonjë projekt i veçantë, do të kthehesha. Përndryshe, jam shumë i kënaqur. Më pëlqen thjesht të shoh gruan time (aktoren Catherine Zeta-Jones) duke punuar”, ka thënë ai.

Douglas dhe Zeta-Jones

Ylli ka shtuar se po përpiqet të nxjerrë një skenar për një film të vogël.

“Nuk jam duke kërkuar punë. Loja ime e golfit po përmirësohet”, ka shtuar ai me humor.

Në vitin 2010, Douglas iu nënshtrua kimioterapisë dhe rrezatimit për kancer të fytit. 

Në Çeki, ai tha se kishte qenë me fat që shmangu operacionin.

“Operacioni do të thoshte që s’do të mund të flisja dhe do të më hiqnin një pjesë të nofullës... kjo do të ishte shumë kufizuese për mua si aktor”, ka thënë ai.

Sa i përket politikës amerikane, ai u shpreh i shqetësuar.

“Mendoj se vendi im po flirton me autokracinë. Demokracia është shumë e çmuar, është e brishtë dhe duhet mbrojtur gjithmonë. Shpresoj që ajo që po kalojmë tani të jetë një lloj kujtese e gjithë punës së madhe që çekët kanë bërë për të fituar lirinë dhe pavarësinë e tyre”, ka thënë ndër të tjera aktori.

Sipas tij, “politika tani duket se është kthyer në biznes fitimprurës”.

“Njerëzit po futen në politikë për të bërë para. Ne ruanim një idealizëm në SHBA, i cili nuk ekziston më”, ka thënë ai.