Michelle Obama ka zbuluar se vajza e saj e madhe, Malia, ka vendosur të mos përdorë mbiemrin “Obama” në projektet e saj artistike për të krijuar një identitet të pavarur nga fama e familjes, ka raportuar FemaleFirst.
Në vend të “Malia Obama”, ajo është paraqitur thjesht si “Malia Ann”, duke përdorur vetëm emrin dhe emrin e mesëm, për punën që ka bërë në filmin e shkurtër “The Heart”, që u shfaq për herë të parë në festivalin e njohur “Sundance 2023”.
“Aty fillon gjithçka. Vajzat tona janë 26 dhe 23 vjeç. Janë gra të reja. Por padyshim që kaluan një periudhë gjatë adoleshencës ku ndjenin nevojën për t’u shkëputur”, ka thënë ish-zonja e parë amerikane duke folur në podcastin “Sibling Revelry” me Kate dhe Oliver Hudson.
Obama ka shtuar se si prindër të njohur, është e zakonshme që fëmijët të kërkojnë të ndërtojnë veten larg ndikimit të prindërve.
“Janë ende duke bërë këtë gjë. Dhe ju e dini këtë si fëmijë të personazheve publikë. Ata përpiqen të krijojnë dallim, të ndihen sikur e kanë fituar vetë gjithçka”, ka thënë ajo.
60 vjeçja ka pranuar se ajo dhe Barack u befasuan kur panë që mbiemri “Obama” mungonte në fund, kur u shfaqën emrat e atyre që punuan për filmin.
“I thamë: ‘Do ta kuptojnë gjithsesi që je ti, Malia’. Por e respektuam faktin që ajo po përpiqet të krijojë rrugën e vet”, ka treguar tutje Obama.
Për ish-zonjën e parë, kjo zgjedhje është pjesë e një përpjekjeje më të madhe për autenticitet dhe pavarësi.
“Vajzat tona nuk duan që njerëzit të mendojnë se gjithçka u është dhënë e gatshme. Janë shumë të ndjeshme ndaj perceptimeve të nepotizmit. Ato duan të jenë vetvetja”, ka thënë ajo.
Edhe Barack Obama e ka komentuar këtë vendim në një intervistë për “The Pivot Podcast”, duke zbuluar se e kishte pyetur Malian se a e dinte se prapë se prapë njerëzit do ta kuptonin se kush është.
“E pyeta: ‘E di që do ta kuptojnë kush je, apo jo?’ Dhe ajo më tha ‘Dua që ta shohin për herë të parë dhe të mos e lidhin menjëherë me mbiemrin’”, pati thënë ish-presidenti amerikan.