Showbiz

Mickey Rourke kërkon ndihmë financiare që të mos dëbohet nga shtëpia

Mickey Rourke

Mickey Rourke

Foto: Associated Press

Aktori amerikan Mickey Rourke po përballet me dëbim nga shtëpia e tij në Los Angeles dhe u ka bërë thirrje ndjekësve që ta ndihmojnë financiarisht përmes donacioneve, për ta paguar qiranë.

73-vjeçari, i njohur për rolet në filma si “The Wrestler” dhe “Iron Man II”, thuhet se i detyrohet pronarit të banesës 59,100 dollarë qira të papaguara. Për këtë arsye, është hapur një faqe në “GoFundMe” me titullin “Support Mickey to Prevent Eviction”, ku kërkohet ndihmë për ta shmangur dëbimin e tij, ka raportuar Daily Mail.

Në përshkrimin e fushatës thuhet se "Rourke po përballet aktualisht me një situatë shumë të vështirë dhe urgjente. Ai rrezikon të dëbohet nga shtëpia e tij. Jeta nuk ecën gjithmonë në vijë të drejtë dhe, pavarësisht gjithçkaje që Rourke ka dhënë përmes punës dhe jetës së tij, ai tani po kalon një moment të vështirë financiar që ka vënë në rrezik strehimin e tij".

“Qëllimi është t’i jepet Mickeyt pak stabilitet dhe qetësi mendore gjatë kësaj periudhe stresuese, në mënyrë që ai të mund të qëndrojë në shtëpinë e tij dhe të ketë hapësirën për t’u rimëkëmbë. Çdo donacion, pavarësisht shumës, do të bëjë një ndryshim real”, thuhet tutje në përshkrim.

Sipas raportimeve, qiraja mujore e Rourke është rritur nga 5,200 dollarë në 7,000 dollarë, ndërsa në dhjetor ai ka marrë një njoftim treditor për dëbim.

Dokumente të depozituara në Gjykatën e Lartë të Los Angeles më 29 dhjetor 2025, të siguruara nga Daily Mail, tregojnë se njoftimi i dëbimit i është dorëzuar më 18 dhjetor. Paditësi, Eric T. Goldie, pretendon se aktori i detyrohet 59,100 dollarë qira të papaguara.

Sipas dokumenteve ligjore, Rourke kishte nisur të jetonte në shtëpinë me tre dhoma gjumi më 30 mars 2025, pasi kishte nënshkruar një kontratë qiraje prej 5,200 dollarësh në muaj. Në muajin e dytë të qëndrimit, qiraja thuhet se u rrit në 7,000 dollarë.

Në padi thuhet gjithashtu se aktori nuk ndodhej në shtëpi kur u tentua t’i dorëzohej njoftimi treditor, ndaj dokumenti u vendos në pjesën e jashtme të pronës. Pronari po kërkon gjithashtu ndërprerjen e kontratës së qirasë dhe pagesën e shpenzimeve të avokatit.

Gjatë vitit 2025, Rourke kishte pranuar se karriera e tij është “në fund”, duke thënë se gabimet e së kaluarës dhe reputacioni i tij si “djalë i keq” ia kanë vështirësuar marrjen e roleve të reja.

“Kam bërë gabime, shumë. Nuk kam askënd për ta fajësuar për fundosjen e anijes sime përveç vetes. Karriera ime është në fund dhe nuk po marr role në filma të mëdhenj. Do të doja të kthehesha në projekte me integritet. Ka regjisorë me të cilët dua të punoj, por ata kanë frikë nga unë dhe nuk më besojnë për atë që jam sot, por për reputacionin që kam pasur”, pati thënë aktori për The Sun në muajin prill të vitit 2025.

Ai ka shtuar se pjesëmarrja në edicionin britanik të “Celebrity Big Brother” ishte një zgjedhje mes këtij reality-show dhe “një filmi shumë të keq të pavarur”.

Megjithatë, producentët e përjashtuan Rourken nga shtëpia e “Celebrity Big Brother”, për shkak të sjelljes së papranueshme.

Artistja JoJo Siwa e akuzoi atë për gjuhë homofobike, pasi kishte dëgjuar Rourken të thoshte se do të “votonte lezbiken të largohej shumë shpejt”.

Ylli, Chris Hughes e mbrojti Siwan, ndërsa Rourke u largua nga programi pas asaj që u përshkrua si sjellje “kërcënuese dhe agresive” ndaj tij.

“Mickey Rourke ka rënë dakord të largohet nga shtëpia e Celebrity Big Brother këtë mbrëmje, pas një bisede me Big Brother lidhur me përdorimin e vazhdueshëm të gjuhës së papërshtatshme dhe rasteve të sjelljes së papranueshme”, pati deklaruar në atë kohë një zëdhënës i “Celebrity Big Brother”.