Showbiz

Mijëra njerëz ndoqën koncertin e Andrea Bocellit e Pharell Williamsit në Vatikan

Pamje nga koncerti në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për koncertin “Grace for the World”, të drejtuar nga Andrea Bocelli dhe Pharrell Williams

Pamje nga koncerti në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për koncertin “Grace for the World”, të drejtuar nga Andrea Bocelli dhe Pharrell Williams

Foto: Associated Press

Mijëra njerëz u mblodhën  në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për koncertin “Grace for the World”, të drejtuar nga Andrea Bocelli dhe Pharrell Williams, që u përmbyll me një spektakël dronësh mbi Kupolën e Bazilikës së Shën Pjetrit, ka raportuar EuroNews.

Fotografi nga Associated Press

Më shumë se 80 mijë pjesëmarrës ndoqën koncertin, i cili shënoi fundin e takimit dyditor “World Meeting on Human Fraternity 2025”.

Ky organizim mblodhi njerëz nga mbarë bota për të reflektuar mbi njerëzimin, në një kohë të sfidave sociale, mjedisore dhe të zhvillimeve të shpejta teknologjike.
 

Fotografi nga Associated Press

Në skenë, përveç tenorit italian Andrea Bocelli, performuan edhe artistë të njohur si Pharrell Williams me korin gospel “Voices of Fire”, John Legend, Jennifer Hudson dhe Karol G.

Fotografi nga Associated Press

Pharrell Williams, gjatë fjalimit të hapjes, ka falënderuar Papën Leoni XIV për mikpritjen.

Fotografi nga Associated Press


“Dua ta falënderoj me sinqeritet Shenjtërinë e Tij për hapjen e dyerve të këtij vendi të shenjtë dhe për kujtesën se dhembshuria e vërtetë fillon me vëllazërinë, duke parë njëri-tjetrin si vëllezër, motra dhe qenie njerëzore”, ka thënë artisti.

Ai ka shtuar se kjo është një mundësi që njerëzit të bashkohen dhe të kuptojnë forcën që kanë kur janë të bashkuar.

“Si specie, ende nuk e kemi bërë këtë. Përtej feve të ndryshme, a mund t’i kapim duart për një moment dhe të shohim dritën që kemi?” -  ka thënë Williams

Pas koncertit, mbi 3 mijë dronë, të operuar nga kompania “Nova Sky Stories” e Kimbal Musk - vëllai i Elon Musk - ndriçuan qiellin, mbi “Sistine Chapel” duke krijuar figura si imazhi i Papa Françeskut të ndjerë, fytyra e Virgjëreshës Mari, pëllumbat e paqes dhe skena nga piktura e njohur “Krijimi i Adamit” nga piktori e skulptori italian, Michelangelo.
 

Fotografi nga Associated Press
Fotografi nga Associated Press

Një ditë më herët, administrues, sipërmarrës, ekonomistë, akademikë, sportistë dhe udhëheqës shpirtërorë morën pjesë në 15 tryeza tematike, duke ndarë përvoja dhe duke propozuar veprime konkrete.

Rezultatet u prezantuan të shtunën në “Human Assembly”, e përshkruar si “fazë simbolike dhe operative që nis një proces ndërkombëtar për të matur dhe promovuar vëllazërinë në jetën reale”.
 

Fotografi nga Associated Press

Koncerti e mbylli këtë konferencë madhështore, duke theksuar vlerën universale të vëllazërisë dhe duke treguar fuqinë e muzikës si gjuhë që bashkon përtej ndarjeve dhe polarizimit.

VIDEO: