Showbiz

Miley Cyrus s’pranon ta heqë një polip nga korda zanore: Zëri im do të ndryshonte

Miley Cyrus

Miley Cyrus

Foto: Associated Press

Këngëtarja, Miley Cyrus, ka zbuluar se ka një polip shumë të madh në kordën zanore, por nuk dëshiron ta heqë për shkak se ka frikë se do të humbasë zërin e saj të veçantë, të cilin e karakterizon një tonalitet i thellë dhe teksturë unike.

Këngëtarja e hitit “Flowers”, ka treguar se zëri i saj karakteristik është rezultat i këtij polipi dhe gjithashtu i një gjendjeje të quajtur “edema e Reinkes, e cila është një fryrje e kordave zanore për shkak të grumbullimit të lëngjeve. Edhe pse kjo gjendje e bën shumë të vështirë që ajo të performojë, ylli nuk dëshiron ndërhyrje kirurgjike sepse, sipas saj, mund të mos tingëllojë më si vetja.

“Kisha 'edemën e Reinkes' ... Të jesh 21 vjeç dhe të rrish zgjuar, të pish, të pish duhan dhe të festosh pas çdo koncerti nuk ndihmon. Por në rastin tim, nuk është kjo që e shkaktoi. Zëri im gjithmonë ka tingëlluar kështu”, ka thënë ajo në një intervistë për The Zane Lowe ShowApple Music 1, ka raportuar FemaleFirst.

Ylli ka shtuar se ky polip është pjesë e anatomisë së saj unike.

“Është pjesë e anatomisë sime unike, kështu që unë kam këtë polip shumë të madh në kordën zanore, i cili më ka dhënë shumë nga toni dhe tekstura që më kanë bërë ajo që jam. Por është shumë e vështirë të performoj me të, sepse është si të vraposh një maratonë me pesha në nyjën e këmbës”, ka thënë Cyrus.

Madje, sipas saj, edhe në bisedat e përditshme zëri i saj ndonjëherë lodhet krejtësisht.

“Edhe kur flas, ndonjëherë në fund të ditës telefonoj mamin dhe ajo më thotë: ‘Po tingëllon sikur po flet përmes një radioje.’ Dhe e kupton që jam shumë e lodhur sepse krijohet ajo ndjesia e ashtuquajtur ‘vocal fry’”, ka thënë këngëtarja.

E pyetur përse nuk bën një operacion për ta hequr këtë problem, Cyrus ka thënë se është pikërisht ky polip që e bën zërin e saj unik.

“Zëri im është shumë unik për shkak të kësaj, por unë kam këtë 'edemë të Reinke's dhe këtë polip të madh dhe nuk jam e gatshme ta heq atë, sepse ekziston mundësia që pas operacionit të mos zgjohem më me zërin tim … kështu që jam shumë e ndarë mes dy opsioneve”, ka thënë ajo.