Reperi nga Ferizaj, Mozzik (Gramoz Aliu), ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe kryeparlamentarin Dimal Basha, bashkëvendës të tij, se kanë ushtruar presion mbi zyrtarët për ta ndaluar në aeroport më 17 shtator.
Mozzik u ndalua në Aeroportin e Prishtinës nën dyshimin për shmangie nga tatimi për dy orë që kapin vlerën rreth 1.3 milionë euro. Megjithatë, pas verifikimeve, ka dalë se ora “Richard Mille” është false. Ndërsa për orën “Rolex” nuk është njoftuar asgjë.
E në një reagim në rrjetet sociale, reperi ka thënë se e gjitha ishte lojë dhe e ka quajtur ndalimin “sulm politik”.
“Moti kohë disa nga VV-ja e kanë personale me mua. Personat që ishin në detyrë atë natë, mos u frikësoni! Dilni dhe tregoni hapur, ashtu siç ma keni thënë mua vetë, që keni pasur presion prej Hekuranit e Dimalit për të më ndalur në aeroport. Kjo ishte sulm politik”, shkroi Mozzik në rrjete sociale.
Ai ka thënë se tash e dy vjet përballet me “padrejtësi” nga Administrata Tatimore e Kosovës, duke shtuar se paratë i ka fituar “me talent, e jo me drogë apo hajni”.
“Me orë fallso nuk mundet askush të më tatimojë me mijëra e mijëra euro”, u shpreh ai, duke pyetur nëse kryeministri (Albin Kurti v.j.) është në dijeni për këto, siç i quajti, “inate personale të vendasve”.
“Unë i kam vetëm 29 vjet, por gjithmonë kam qenë një hap para jush. Më leni rahat, se tash ju nxora ashiqare!”, ka shkruar ai.
