Showbiz

Noah Centineo do të jetë Rambo i ri

Noah Centineo dhe Sylvester Stallone

Noah Centineo dhe Sylvester Stallone

Foto: Associated Press

Aktori Noah Centineo, 29 vjeç, është zgjedhur të marrë një nga rolet më të famshme të Sylvester Stallones: John Rambo.

Sipas Deadline dhe Variety, filmi i ri do të jetë ripërpunim i filmit “First Blood” të vitit 1982 dhe do të titullohet “John Rambo”.

Regjinë do ta bëjë Jalmari Helander (Sisu), ndërsa skenarin Rory Haines dhe Sohrab Noshirvani. Xhirimet pritet të fillojnë në fillim të vitit 2026 në Tajlandë.

Filmi do të tregojë historinë e origjinës së Rambos, gjatë luftës në Vietnam, vite para ngjarjeve në “First Blood”, ku personazhi paraqitet si një veteran i traumatizuar që përballet dhunshëm me policinë e një qyteti të vogël.

Stallone, tash 79 vjeç, ka luajtur në pesë filma të Rambos midis viteve 1982 dhe 2019, duke u bërë sinonim me rolin. Ai vetë ka thënë që prej vitit 2019 se kishte dëshirë të shihte një ripërpunim të filmit në fjalë.

“Ai ishte personi më i mirë që mund të gjeje… kapiten i ekipit, më i pëlqyeri në shkollë, super sportist. Lufta ishte ajo që e ndryshoi. Para saj, ai ishte djali perfekt”, ka thënë Stallone për Screen Rant.

Megjithatë, Stallone nuk do të jetë i përfshirë drejtpërdrejt në projekt, ani pse burimet kanë thënë se mund të shfaqet nëse del një rol i përshtatshëm për të.

Në një intervistë më 2023 gjatë Festivalit të Filmit në Toronto, ai bëri shaka për rikthimin.

“Rambo e ka përfunduar punën… Edhe pse duan ta bëjnë një tjetër, çfarë do të luftoj tani? Artritin?”

Franshiza e Rambos ka prodhuar katër vazhdime pas “First Blood”, përfshirë “Rambo” (2008) dhe “Rambo: Last Blood” (2019), ku heroi shkon në Meksikë për të shpëtuar mbesën e rrëmbyer nga një kartel.

Centineo së fundmi ka luajtur si ushtar amerikan në dramën e luftës “Warfare”, si dhe në filmin “Our Hero, Balthazar”, që u shfaq në Festivalin Tribeca në muajin qershor të këtij viti.