Filmi aksion-triller “One Battle After Another” kryeson nominimet për ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Actor awards” duke u bërë filmi me më së shumti nominime këtë vit.
Produksioni ka siguruar gjithsej shtatë nominime, përfshirë vlerësime individuale për aktorët Leonardo DiCaprio, Chase Infiniti, Teyana Taylor, Sean Penn dhe Benicio del Toro.
Aktori i famshëm Leonardo DiCaprio është nominuar në kategorinë “Performanca më e mirë e një aktori në rol kryesor”, por konkurrenca është e fortë. Ai do të përballet me Timothée Chalamet, Ethan Hawke, Michael B. Jordan dhe Jesse Plemons, ka raportuar FemaleFirst.
Në kategorinë e roleve kryesore për femra, aktorja Chase Infiniti është në garë me aktoret Jessie Buckley, Rose Byrne, Kate Hudson dhe Emma Stone për çmimin “Performanca më e mirë e një aktoreje në rol kryesor”.
Ndërkohë, filmi horror “Sinners”, i shkruar dhe drejtuar nga Ryan Coogler, renditet i dyti për nga numri i nominimeve, me gjithsej pesë të tilla.
Aktorët Michael B. Jordan, Miles Caton dhe Wunmi Mosaku janë nominuar për çmime individuale, ndërsa aktorja Hailee Steinfeld, e cila luan interesin romantik të personazhit të Jordanit në film, nuk ka arritur të sigurojë një nominim.
Filmat “Frankenstein”, “Hamnet” dhe “Marty Supreme” kanë marrë nga tre nominime secili, përfshirë edhe atë për çmimin prestigjioz “Kasti më i mirë”.
Ndërkohë, ikona e Hollywoodit, aktori Harrison Ford do të nderohet me çmimin për arritje jetësore. Aktori i njohur për rolet e tij në sagat “Indiana Jones” dhe “Star Wars” do të marrë vlerësimin special të këtij viti.
Lista e nominimeve u shpall nga aktorja e serialit “Abbott Elementary”, Janelle James, dhe Connor Storrie.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve do të transmetohet në Netflix më 1 mars dhe do të jetë hera e parë që zhvillohet nën emrin e ri “Actor Awards”. Më parë, këto çmime njiheshin si “Screen Actors Guild Awards”.
Organizatorët kanë shpjeguar arsyen e ndryshimit të emrit të ngjarjes.
“Donim të ofronim një identitet më të qartë për audiencën vendore dhe ndërkombëtare, duke theksuar se çfarë përfaqëson kjo ceremoni, ne nderojmë aktorët në film dhe televizion. Fokusimi i emrit pikërisht në këto dy fusha ishte rruga më e qartë dhe më e drejtpërdrejtë për këtë kapitull të ri të shfaqjes”, kanë deklaruar ata.
“Actor Awards” konsiderohen ndër vlerësimet më të rëndësishme në industrinë e filmit dhe televizionit, pasi fituesit zgjidhen nga vetë aktorët, duke u dhënë çmimeve peshë të veçantë profesionale.