Showbiz

Orlando Bloom reagon me shaka ndaj thashethemeve për romancë mes Perryt dhe Trudeaut

Orlando Bloom, Katy Perry dhe Justin Trudeau

Orlando Bloom, Katy Perry dhe Justin Trudeau

Foto: Associated Press

Aktori, Orlando Bloom, ka reaguar me humor ndaj një postimi satirik që e paraqiste atë në një takim me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel, një shaka që lidhet me thashethemet për një lidhje të mundshme mes ish-të fejuarës së tij, këngëtares, Katy Perry, dhe ish-kryeministrit kanadez Justin Trudeau, ka raportuar E News!

Faqja satirike The Onionm më 1 gusht ka publikuar  një artikull të rremë, të shoqëruar me një foto të gjeneruar nga inteligjenca artificiale, ku thuhej se pas ndarjes nga Perry, Bloom është fotografuar me Merkelin.

“Vetëm pak javë pas ndarjes nga e fejuara e tij Katy Perry, aktori anglez Orlando Bloom u fotografua duke darkuar me ish-kancelaren gjermane Angela Merkel. Angela e bëri Orlandon të qeshte gjithë natën, ai nuk ia ndante sytë asaj!”, thuhej në artikullin e bazuar në një burimi imagjinar që “i kishte parë duke pirë verë, ngrënë gaforre dhe ndarë një copë ëmbëlsirë me çokollatë në një restorant me yll Michelin.

Bloom ka reaguar me sportivitet, duke lënë një seri emojish me duartrokitjeje në komentet e postimit.

Thashethemet për një lidhje mes Perryt dhe Trudeau nisën pak më shumë se një muaj pasi u konfirmua se ajo dhe Bloom, me të cilin ka vajzën 4-vjeçare, Daisy Dove, kishin vendosur t’i jepnin fund fejesës.

“Për shkak të interesimit të madh rreth marrëdhënies së Bloom dhe Perry, përfaqësuesit e tyre kanë konfirmuar se gjatë muajve të fundit, ata kanë qenë në një proces ndryshimi për t’u përqendruar te bashkëprindërimi”, thuhej në një deklaratë për E! News më 3 korrik.

Në deklaratë gjithashtu thuhej se ata do të vazhdojnë të shihen së bashku si familje, pasi përparësia e tyre e përbashkët ka qenë dhe do të mbetet rritja e vajzës me dashuri, stabilitet dhe respekt të ndërsjellë.

Vetëm disa javë pas kësaj deklarate, Perry dhe Trudeau u fotografuan në një darkë në restorantin Le Violon në Montreal. Më vonë, Trudeau u shfaq edhe në koncertin e Perryt më 20 korrik, në të njëjtin qytet. Në fotot e ndara në rrjete sociale, ai dukej i buzëqeshur teksa shikonte shfaqjen nga një zonë e veçantë pranë skenës.

Ndërkohë, Bloom ka treguar se po e përballon këtë kapitull të ri me qetësi, duke ndarë në rrjete sociale disa mesazhe frymëzuese për rifillime dhe guxim.

Në një prej postimeve të tij në Instagram Stories në qershor, ai ka cituar Budën.

“Çdo ditë është një fillim i ri. Ajo që bëjmë sot është ajo që ka më shumë rëndësi”, ka shkruar ai.

Në një tjetër postim, ai ka shtuar një thënie të liderit budist Daisaku Ikeda.

“Gjëja më e rëndësishme është të hedhësh hapin e parë. Të kapërcesh me guxim një frikë të vogël të jep kurajë për të përballuar ditën e ardhshme”, ka shkruar aktori.