Reperi amerikan Sean “Diddy” Combs pritet të lirohet nga burgu më herët sesa ishte planifikuar, ndërsa po vuan një dënim prej 50 muajsh (rreth katër vjet) për dy akuza që lidhen me transportim për qëllime prostitucioni.
56-vjeçari, i njohur si një nga figurat më të mëdha të industrisë së hip-hopit, fillimisht pritej të lirohej më 8 maj 2028, më pas data u shty për 4 qershor 2028.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas të dhënave të Byrosë Federale të Burgjeve në SHBA, data e re e lirimit është 25 prill 2028. Ai po e vuan dënimin në institucionin korrektues me siguri të ulët Federal Correctional Institution, Fort Dix në New Jersey, ka shkruar Page Six.
Lajmi se ai pritet të lirohet më herët vjen pasi ylli është pranuar në një program për rehabilitim nga droga e alkooli në muajin nëntor, gjë që sipas Page Six, mund të ketë ndikuar në shkurtim të dënimit.
Një përfaqësues i tij ka theksuar se reperi po e përdor kohën në burg për t’u përqendruar te përmirësimi personal.
Ai ka thënë se Combs po e merr seriozisht moskonsumimin e alkoolit.
Zëdhënësi hodhi poshtë pretendimet se ai ishte kapur duke konsumuar alkool të përgatitur në mënyrë të paligjshme në burg, duke insistuar se klienti i tij është i fokusuar të qëndrojë “i pastër dhe esëll”.
Combs ndodhet në paraburgim që nga muaji shtator i vitit 2024, kur u arrestua për disa akuza të lidhura me krime seksuale. Në muajin korrik të vitit 2025, pas një gjyqi tetëjavor, ai u shpall fajtor për dy raste të transportimit për t’u përfshirë në prostitucion. Megjithatë, ai u shpall i pafajshëm për akuzat më të rënda për trafikim seksual dhe organizim kriminal.
Pas arrestimit, ai mbahej në Metropolitan Detention Center, Brooklyn në New York, por më 30 tetor u transferua në Fort Dix, një burg me kushte më të lehta. Ekipi i tij ligjor kishte kërkuar transferimin në New Jersey për shkak të qasjes më të mirë në programe rehabilitimi nga varësia.
Ndërkohë, muajin e kaluar, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka konfirmuar se Combs kishte kërkuar falje presidenciale.
“Ai më kërkoi falje… përmes një letre”, pati raportuar The New York Times, se ka thënë Trump.
Megjithatë, sipas të njëjtit raport, presidenti nuk e paraqiti letrën dhe la të kuptohej se aktualisht nuk po e shqyrton kërkesën për falje. Më herët, Trump kishte deklaruar se ishte i pasigurt nëse do ta falte autorin e hitit “I’ll Be Missing You”, pasi Combs kishte qenë “shumë armiqësor” ndaj tij gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë.