Sean “Diddy” Combs ka refuzuar zyrtarisht ofertën e prokurorëve federalë për të pranuar fajësinë dhe për të shmangur një dënim të gjatë me burgim, ka raportuar ABC News.
“Po, e refuzoj, zoti gjyqtar”, ka thënë Combs, 55 vjeç, kur gjyqtari Arun Subramanian e pyeti nëse ai refuzonte marrëveshjen e ofruar nga prokuroria.
Combs do të përballet me gjyq të plotë që nis të hënën, më 5 maj, me përzgjedhjen e jurisë. Ai akuzohet për konspiracion mafioz (racketeering), trafikim seksual dhe nxitje në prostitucion, me pretendimin se ka detyruar gra të marrin pjesë në marrëdhënie seksuale të zgjatura në ngjarje që ai i quante “freak-offs”.
Prokurorja Maurene Comey ka thënë se pranimi i fajësisë do të ulte ndjeshëm rrezikun e një dënimi maksimal.
“Një marrëveshje do ta ekspozonte atë ndaj shumë më pak viteve burg krahasuar me një dënim të plotë për të gjitha akuzat”, ka thënë ajo, në seancën e mbajtur të enjten.
Nëse shpallet fajtor për të gjitha pikat, Combs mund të përballet me dënim me burgim të përjetshëm.
Detajet e plota të marrëveshjes nuk janë bërë publike.
Në sallën e gjyqit, Combs u shfaq me uniformën e burgut ngjyrë bezhë. Ai përqafoi avokatët e tij dhe e përshëndeti avokaten Teny Geragos.
Avokati tjetër i tij, Mark Geragos, ngriti shqetësime për komentet publike që avokatja Lisa Bloom, e cila përfaqëson të paktën dy nga paditë civile kundër Combs, ka dhënë intevistë në një dokumentar mbi rastin.
“Jemi të shqetësuar për sjelljen e saj në këtë rast”, ka thënë Geragos.
Gjyqtari Subramanian ka thënë se do t’ua kujtojë të gjithë avokatëve dhe dëshmitarëve të respektojnë rregullat etike dhe të shmangin deklaratat që mund të ndikojnë në të drejtën e Combs për proces të drejtë gjyqsor.
“Do t’ua kujtoj të gjithë palëve se deklaratat e paragjykuara janë të papranueshme”, ka thënë ai.
Combs u arrestua vitin e kaluar pas një aktakuze të gjerë për trafikim seksual, e përgatitur që në shtator, dhe e pasuar nga disa aktakuza shtesë. Ai akuzohet si udhëheqës i një “organizate kriminale” që e ka lejuar për vite me radhë të abuzojë viktimat në mënyrë seksuale, fizike, emocionale dhe verbale.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe në muajin mars është deklaruar i pafajshëm ndaj një aktakuze të re, ku thuhet se ka detyruar një punonjëse të tij të marrë pjesë në akte seksuale.
Prokurorët federalë kanë thënë se kanë deri në 20 dëshmitarë të mundshëm, përveç tri viktimave, të cilat do të mund të dëshmojnë për sjelljen e Combs.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me dekada në burg.
-Akuza për konspiracion mafioz mund të sjellë dënim maksimal me burgim të përjetshëm.
-Akuza për trafikim seksual ka dënim minimal të detyrueshëm prej 15 vjetësh burgim, deri në burgim të përjetshëm.