Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Provat” e gjeneruara me inteligjencë artificiale që ia shkatërruan karrierën aktorit korean

kim

Policia e Koresë së Jugut ka gjetur se pas shkatërrimit të karrierës së aktorit Kim Soo-hyun qëndron një person që përmes faqes së tij në YouTube ka publikuar shpifje për aktorin duke nxitur skandalin ndaj tij. 

Autoritetet thonë se YouTuberi kishte manipuluar pamjet e mesazheve dhe kishte ndarë një audio të bërë me inteligjencë artificiale për të dhënë përshtypjen se aktori ishte në lidhje dashurie me aktoren Kim Sae-ron kur ajo ishte ende e mitur.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Akuzat dolën në pah vitin e kaluar, menjëherë pasi Kim Sae-ron vrau veten në moshën 24 vjeç.
Skandali tronditi vendin dhe përmbysi karrierën e Kim Soo-hyunit, një emër i njohur në Korenë e Jugut.

Aktori i ka mohuar vazhdimisht akuzat.

Muaj pas vdekjes së Kim Sae-ron, i dyshuari Kim Se-ui kishte postuar në internet një regjistrim zëri në të cilin aktorja mund të dëgjohej duke thënë se kishte dalë me Kim Soo-hyunin që kur ishte në shkollën e mesme.

I dyshuari Kim Se-ui, i cili ka gati një milion ndjekës në kanalin e tij, kishte paraqitur gjithashtu pamje të mesazheve që supozohet se janë dërguar midis aktorit dhe aktores.

Autoritetet tani thonë se regjistrimi zanor është gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Ata gjithashtu pretendojnë se i dyshuari kishte manipuluar mesazhet e dërguara nga telefoni i aktores për ta bërë të dukej sikur ajo i kishte dërguar mesazhe Kim Soo-hyunit.

Autoritetet thonë se YouTuberi kishte përhapur me vetëdije pretendimet e rreme për përfitime financiare.

Veprimet e tij "shkatërruan rrethin shoqëror të Kim Soo-hyunit dhe aktivitetet e tij ekonomike në të gjithë botën, dhe shkatërruan bazën për mbijetesën e tij profesionale", thuhej në dosjen policore.

Policia gjithashtu thotë se Kim Soo-hyun "ende po merr trajtim psikiatrik".

Të famshmit në Korenë e Jugut mbahen në standarde të larta dhe vihen nën vëzhgim ekstrem. 

Vetë Kim Sae-ron ishte viktimë e urrejtjes online nga fansat pasi u gjobit për një incident drejtimi të veturës në gjendje të dehur në vitin 2022. Përpara kësaj, ajo ishte parë si një nga aktoret e reja më premtuese në Korenë e Jugut.

Menjëherë pas vdekjes së saj, në internet dolën thashetheme që pretendonin se Kim Soo-hyun kishte dalë me të kur ajo ishte vetëm 15 vjeç. Këto morën hov pasi YouTuberi postoi mesazhet dhe audion, dhe familja e aktores e mbështeti publikisht atë.

Aktori më vonë pranoi se në fakt kishte dalë me aktoren për një vit - por vetëm kur ajo ishte rritur. Në një konferencë shtypi plot lot në mars 2025, aktori këmbënguli se ata nuk kishin dalë kurrë bashkë kur ajo ishte e mitur. "Nuk mund të pranoj diçka që nuk e kam bërë", tha ai.

Atë muaj, ai ngriti padi kundër YouTuberit dhe familjes së aktores për akuza të rreme. Që atëherë, Kim Soo-hyun - i cili dikur luajti në shumë shfaqje televizive dhe reklama të suksesshme - nuk është shfaqur në publik.