Komediani britanik Ricky Gervais ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes se çmimeve “Golden Globes” muajin e ardhshëm, ani pse është i nominuar për çmim, sepse sipas tij udhëtimi është “shumë i gjatë” dhe ai preferon të qëndrojë në shtëpi.
64-vjeçari jeton në Londër me partneren e tij Jane Fallon dhe ka vendosur të mos udhëtojë drejt Los Angelesit për ceremoninë që mbahet më 11 janar, ku është i nominuar në kategorinë për stand-up komedinë më të mirë.
Ai ka thënë se do të preferonte të qëndrojë në divan, duke parë Netflix me Janen dhe macen e tyre.
Gjatë një interviste për emisionin This Cultural Life në BBC Radio 4, Gervais, i cili e ka prezantuar Golden Globes pesë herë, u shpreh se nuk ka qejf ta shohë veten në ekran, ka raportuar FemaleFirst.
“Nuk ndjeva asnjë kënaqësi duke parë fytyrën time në ekran. Unë thjesht dua qetësi dhe paqe. Me shumë gjasë nuk do të shkoj në ‘Golden Globes’. Është shumë larg për të shkuar. Duhet shumë për të më larguar nga divani, nga macja dhe e dashura ime, duke parë Netflix. E dua punën, e dua të shkruarit, e dua krijimin, e dua stand-up-in, por të gjitha gjërat e tjera do të bëja shumë mirë edhe pa to”, ka thënë ai.
Në intervistë, ai u pyet nëse do të ndryshonte ndonjë nga punët e tij të mëparshme në komedi.
“Je produkt i kohës sate dhe krijon për njerëzit e kohës sate. Do të vendosja paralajmërime për përmbajtje të ndjeshme, por nuk do të kthehesha për të ndryshuar diçka tani. A pendohem për ndonjë gjë? Jo. A do t’i bëja gjërat ndryshe sot? Ndoshta”, ka thënë Gervais.
Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e komedisë britanike lidhet me konceptin e klasave.
“Ne jemi të fiksuar pas saj, dhe mendoj se duhet të jemi. Sot jam shumë më i vetëdijshëm për këtë. Nuk jam më i klasës punëtore, por kam qenë… Njerëzit i kuptojnë shumicën e luftërave për pushtet, e kuptojnë pse racizmi, homofobia dhe mizogjinia janë të gabuara, por janë shumë përçmues ndaj klasës punëtore. Është e vetmja gjë për të cilën duket se lejohet tallja pa asnjë pasojë”, ka thënë komediani.
Duke folur për stilin e tij të komedisë, Gervais ka thënë se mundohet të jetë sa më real.
“Nëse mbështetesh te sjelljet e tua, është më e lehtë sesa të vësh një theks qesharak francez apo një paruke të çuditshme, sepse unë merrem vetëm me realizëm. Nuk bëj gjëra të ekzagjeruar. Nuk bëj surrealizëm. Nuk bëj fantazi, nuk bëj koncepte të mëdha, nuk bëj udhëtime në kohë”, ka thënë ai.