Sean Ono Lennon ka ndërtuar karrierë të larmishme si muzikant, producent dhe autor këngësh.
Kur pyetet se cilën pjesë të procesit krijues e pëlqen më shumë, përgjigjja e tij është e drejtpërdrejtë:
“Është e thjeshtë: më pëlqen të shkruaj dhe të incizoj, por e urrej përfundimin”.
Tani që nëna e tij, Yoko Ono, është në të 90-at, Sean ka marrë mbi supe një rol të ri: kujdestarin e trashëgimisë së babait të tij, këngëtarit legjendar të grupit muzikor “The Beatles”, John Lennon.
“Po, teknikisht është kështu, por në fakt mendoj se e gjithë bota është kujdestare e trashëgimisë së tij. Unë thjesht përpiqem ta bëj maksimumin që brezi i ri të mos harrojë ‘The Beatles’, Johnin dhe Yokon”, ka thënë ai për CBSNews.
I pyetur nëse është vërtet e mundur që kjo trashëgimi të harrohet, Lennon përgjigjet duke thënë se mendon që është e mundur, ndërkohë që më parë nuk e besonte këtë.
Për këngën ikonike “Happy Xmas (War Is Over)”, Sean ka kërkuar mënyra të reja që ajo të dëgjohet ndryshe.
“Doja të krijoja ndjesinë sikur po e dëgjon për herë të parë ose të paktën në një kontekst të ri. Jo thjesht ‘ja ku është përsëri në radio’”, ka thënë ai.
Kjo ide ka çuar në bashkëpunimin me ish-animatorin e Pixarit, Dave Mullins, për filmin e shkurtër të animuar “War Is Over!”.
Traileri i filmit “Happy Xmas (War Is Over):
“Na erdhi ideja që dy ushtarë të luanin shah në anët e kundërta të një lufte. Kisha lexuar edhe për pëllumbat heroikë që përdoreshin si lajmëtarë gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore”, ka thënë Sean.
Filmi 11-minutësh, tashmë i disponueshëm në YouTube, ka fituar vitin e kaluar çmimin “Oscar” për filmin më të mirë të shkurtër të animuar.
“U ndjeva si në një konkurs bukurie dhe thjesht po qaja aty në skenë”, ka thënë ai me humor.
Në atë moment, ai ka vendosur t’i drejtohej publikut për nënën e tij.
“A mund të thoni të gjithë: ‘Gëzuar Ditën e Nënës, Yoko!’”, ka thënë Sean.
Për ta, ruajtja e trashëgimisë së prindërve është diçka thellësisht personale.
“Prindërit e mi më dhanë kaq shumë. Mendoj se minimumi që mund të bëj është ta mbështes trashëgiminë e tyre gjatë jetës sime. Këtë ua kam borxh”, ka thënë ai.
Sipas tij, trashëgimia e John dhe Yokos nuk përmblidhet vetëm me fjalët paqe dhe dashuri.
“Është edhe një mënyrë aktivizmi që bëhet me humor dhe me dashuri”, ka thënë Sean.
Kjo frymë pasqyrohet edhe në dokumentarin e ri të HBO-së, “One to One”, që tregon koncertin bamirës të vitit 1972 në Madison Square Garden, i vetmi koncert i plotë që John dhe Yoko realizuan së bashku.
“Është i vetmi koncert i gjatë dhe ndoshta i vetmi ku babai im këndoi një këngë të ‘The Beatles’, ‘Come Together’, sepse ishte në humor të mirë”, ka thënë ai.
Koncerti u mbajt në vitet e para të Lennonit në New York, në një kohë kur ai po përballej me një betejë të ashpër deportimi me administratën e presidentit të atëhershëm të SHBA-së, Richard Nixon, pjesërisht për shkak të aktivizmit të tij kundër luftës.
Në dokumentar përfshihen edhe materiale që Sean nuk i kishte dëgjuar kurrë më parë.
“U gjetën telefonata që prindërit e mi i kishin incizuar vetë. Ky ishte reagim ndaj faktit që FBI po i përgjonte. Ata menduan: ‘Nëse na akuzojnë se kemi thënë diçka që nuk e kemi thënë, ne do të kemi provën tonë’”, ka treguar ai.
Filmi e paraqet çiftin Lennon-Ono në një moment vendimtar të jetës së tyre.
“Në njëfarë mënyre, kjo është historia e origjinës sime. Ata erdhën në New York dhe, nëse nuk do të ndodhte kjo, unë nuk do të ekzistoja”, ka thënë Sean.
Ai pranon se shumë nga pamjet dhe incizimet ishin përvoja të reja edhe për të.
“Është sikur të fitoj më shumë momente me babanë tim. Në nivel personal, kjo do të thotë jashtëzakonisht shumë”, ka thënë ai.
Përveç prodhimit të muzikës së dokumentarit, e cila është publikuar edhe si box-set, Sean po punon edhe për albumin e tij të ri me Claypool Lennon Delirium, që e përshkruan si “rock progresiv, pak i çuditshëm dhe eksperimental, por shumë argëtues”.
Ai ka bashkëpunuar edhe me James McCartney, djalin e këngëtarit Paul McCartney, dhe Zak Starkey, djalin e Ringo Starrit, duke ngjallur shpresat për një bashkim simbolik të “fëmijëve të Beatlesave”.
“Nuk po përpiqemi të rikrijojmë ‘The Beatles’. Neve thjesht na pëlqen njëri-tjetri. Nëse ndodh diçka, duhet të jetë natyrale, jo për të përmbushur pritjet e të tjerëve”, ka thënë Sean.
Sean Ono Lennon e merr shumë seriozisht rolin e tij të ri.
“Muzika e ‘Beatlesave’ dhe trashëgimia e Johnit dhe Yokos janë diçka që bota duhet t’i çmojë dhe t’i kujtojë vazhdimisht. Kështu e shoh punën time”, ka thënë ai.
Sa i përket Yoko Onos, ai thotë se ajo është mirë.
“Është 92 vjeçe dhe ka ngadalësuar ritmin. Është tërhequr nga jeta publike, prandaj unë po përpiqem ta bëj punën që ajo bënte më parë. Ndihem nën presion, sepse ajo ka vendosur një standard shumë të lartë”, ka thënë ai.
Dhe me humor ka shtuar se ndoshta i vetmi person në tërë botën, që do të refuzonte të bashkëpunonte me John Lenonin është ajo.
“Është interesante që ndoshta i vetmi njeri në botë që do ta refuzonte John Lennon si bashkëautor është nëna ime”, ka thënë Sena, ndërkohë që pyetet: “Ndoshta kjo është arseja pse ai e donte, apo jo?”
“Po, pikërisht për këtë!”, u përgjigj Sean duke qeshur.