Showbiz

“Sinners” i Ryan Coogler cilësohet si filmi i parë i vitit 2025 pretendent për “Oscar”

“Sinners” i Ryan Coogler cilësohet kanditat serioz për "Oscar"

“Sinners” i Ryan Coogler cilësohet kanditat serioz për "Oscar"

Filmi më i ri i regjisorit të njohur Ryan Coogler, “Sinners” (Mëkatarët), është duke u cilësuar si kandidati i parë serioz për çmim "Oscar" këtë vit. Filmi është një thriller psikologjik që përçon një atmosferë të ngarkuar emocionale dhe është vlerësuar si hap i guximshëm për Coogler, i cili deri tani doli në pah me drama të fuqishme dhe filma superheronjsh, ka shkruar Variety.

Ryan Coogler njihet si një ndër figurat më me ndikim në kinemanë amerikane. Ai ka fituar zemrat e publikut dhe kritikëve me projektin filmik “Fruitvale Station”, ringjalljen e serisë “Rocky” me “Creed” dhe ka shkruar historinë me “Black Panther”. Tani, me filmin “Sinners”, ai sfidon kufijtë e zhanrit horror dhe kërkon të ndryshojë mënyrën se si Akademia e Filmit, “Oscar”, i sheh këta filma.

“Nëse ka ndonjë drejtësi, ky film do ta vendosë Cooglerin në listën e ngushtë të regjisorëve afroamerikan të nominuar ndonjëherë për ‘Oscar’”, ka shkruar Variety.

Filmi tregon historinë e binjakëve Smoke dhe Stack, të interpretuar mjeshtërisht nga Michael B. Jordan. Aktori luan dy role të ndryshme me aq thellësi sa është vështirë të besosh që është i njëjti person në të dy rolet. Krah tij, aktori i ri Miles Caton luan një karakter me nofkën “Preacher Boy”, një rol që po krahasohet me rolin që i solli fame aktorit Daniel Kaluuyas në filmin “Get Out”.

Delroy Lindo, një nga aktorët më të nënvlerësuar të Hollywoodit, luan Slimin, një rol që kritikët e kanë cilësuar si “i fuqishëm dhe me shpirt”.

“Është një kast aktorësh që duhet t'i detyrojë ‘çmimet SAG’ të lirojnë vend për ta, një grup që e justifikon çmimin e ri të Akademisë për ‘kastin më të mirë’”, thuhet në analizë.

Filmi është lavdëruar gjithashtu për mjeshtërinë teknike: dizajni i prodhimit nga Hannah Beachler, kostumografia nga fituesja e çmimit “Oscar”, Ruth E. Carter, dhe muzika nga Ludwig Göransson. Kinematografia nga Autumn Durald Arkapaw, me pamje të mrekullueshme nga vitet 1930, është përmendur si kandidate e fortë për “Oscar”.

“Pas këtij filmi, besoj se është koha që një grua ta fitojë më në fund çmimin për kinematografi”, thuhet në tekst.

Sipas Variety, “Sinners” nuk është një horror klasik me frikë të menjëhershme. Ai është më shumë një reflektim i thellë mbi kujtesën, mbijetesën dhe shpirtin njerëzor.

“Ky film nuk të kërkon vetëm të trembesh, por të ndjesh. Ai qëndron në kryqëzimin mes politikës dhe personales, mes të kaluarës dhe të tashmes,” shkruhet në analizën e parë të filmit.

Ryan Coogler nuk synon thjesht çmimet. Ai synon të tregojë histori që kanë peshë dhe ndikim.

“Sinners nuk kërkon një votë nga Akademia. Ai kërkon reflektim”, shkruan Variety.

Treileri i filmit: