Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tom Hanks do të luajë rolin e Abraham Lincolnit

Tom Hanks

Tom Hanks

Foto: Associated Press

Tom Hanks do të portretizojë ish-presidentin amerikan, Abraham Lincoln, në adaptimin për ekran të madh të romanit “Lincoln in the Bardo” të autorit George Saunders.

Aktori 69-vjeçar do të interpretojë rolin e presidentit të 16-të të Shteteve të Bashkuara në këtë projekt, i cili sipas Deadline do të jetë një film hibrid që kombinon xhirimet me aktorë realë (live-action) dhe animacionin. Hanks do të jetë gjithashtu producent përmes kompanisë së tij, Playtone.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ylli i filmit “Cast Away” do të shfaqet në version live-action të Lincolnit, ndërsa animacioni do të përdoret për të eksploruar aspekte të tjera të jetës së presidentit.

Abraham Lincoln njihet si presidenti që shfuqizoi skllavërinë gjatë mandatit të tij, përmes Shpalljes së Emancipimit dhe Amendamentit të 13-të. Ai gjithashtu udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile, e cila u zhvillua nga viti 1861 deri në vitin 1865.

Filmi pritet të trajtojë edhe marrëdhënien e Lincolnit me djalin e tij të ndjerë, Willie Lincoln, i cili vdiq gjatë Luftës Civile në moshën 11-vjeçare.

Regjinë e filmit do ta bëjë Duke Johnson, i cili do të jetë edhe producent së bashku me Hanks, Paul Young dhe Devon Young Rabinowitz. Xhirimet do të zhvillohen në Londër.

Në të kaluarën, disa persona kanë sugjeruar që Hanks të kandidojë për president në jetën reale, por ai e ka hedhur poshtë këtë ide me humor.

Kur u pyet për këto spekulime në vitin 2016, ai i tha “Channel Nine’s 60 Minutes” se nuk do t’i pëlqente ta bënte atë punë.

“Oh Zot, do të ishte një katastrofë. Kush dreqin do ta donte atë punë? Unë nuk dua kurrë të kem një punë ku duhet t’i përgjigjem telefonit”, ka thënë ai.

Para zgjedhjes së parë të Donald Trump si president në muajin nëntor të vitit 2016, Hanks ishte kritik ndaj mundësisë që ai të fitonte. Ai kishte deklaruar se Trump do të bëhej president “kur anijet kozmike të zbresin të mbushura me dinosaurë me pelerina të kuqe”.

“Do të ishim mirë. Unë nuk dua që Donald Trump të jetë President i Shteteve të Bashkuara. Por në planin e madh të gjërave, Amerika korrigjon vetveten”, pati thënë ai dy muaj para zgjedhjeve.

Hanks ka theksuar gjithashtu se aktron për pasion, jo për para të mëdha, dhe se do të punonte edhe sot për 250 dollarë në javë.

“E bëj për kënaqësi. Më pëlqen të jem aktor dhe më pëlqen të jem në filma. Kur zbulova në shkollë se vlerësoheshe për faktin që shfaqeshe dhe luaje në shfaqje teatrore, thashë me vete: ‘Kush e shpiku këtë mashtrim?’. Kur isha i ri, nuk mendohesha dy herë kur duhej t’i fusja të gjitha gjërat e mia në makinë dhe të udhëtoja nëpër vend për të punuar për 250 dollarë në javë. Ishte e qartë, sigurisht që do ta bëja”, ka thënë Hanks.

I pyetur nëse do të punonte sot për të njëjtën shumë, ai u përgjigj pozitivisht.

“Po, do ta bëja. Kjo është puna më e bukur në botë”, ka thënë aktori.