Showbiz

Vdiq këngëtari Shpat Kasapi

Shpat Kasapi

Shpat Kasapi (1985-2025)

Ka vdekur këngëtari shqiptar Shpat Kasapi, kanë raportuar mediat shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Sipas raportimeve, Kasapi ka pësuar sulm në zemër.

Kasapi vdiq në moshën 40-vjeçare.

Kasapi u lind më 1 maj 1985 në Tetovë. Karrierën e ka nisur në fillim të viteve 2000. Shpejt u bë ndër yjet më të mëdha muzikore atë kohë në estradë.

U bë i njohur me disa këngë që vazhdojnë të dëgjohen ende si “Valle kosovare”, “A më do?”, “Dashni pa limit” e “Aroma e saj”.

Për vdekjen e Kasapit në llogarinë me emrin e tij ka shkruar menaxhmenti i këngëtarit. Aty është thënë se vdekja e tij është goditje e rëndë dhe dhimbje e madhe për stafin dhe fansat e këngëtarit. Është thënë se për procedurat e varrimit fansat do të njoftohen së shpejti.

Bashkëshortja e Kasapit, Selvija, në një shkrim emocionues në Instagram ka thënë se nuk e di se si do t’ia shpjegojë të birit të tyre që Shpati nuk është më.

Reagimi i Selvijes pas vdekjes së bashkëshortit të saj, Shpat Kasapi (Instagram)

Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka thënë se vdekja e Kasapit ka lënë boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë vlerësuar artin e tij.

“Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe”, ka shkruar ai në Facebook mëngjesin e së mërkurës.

Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka thënë se vdekja e Kasapit është humbje e madhe për këtë qytet.

“Me dhembje të thellë mora lajmin për ikjen nga kjo botë të këngëtarit tetovar Shpat Kasapi. Tetova humbi birin e saj dhe një artist të madh, i cili ndër vite ka qëndruar në majat e suksesit”, ka shkruar ai.

Të tronditur me lajmin për vdekjen e Kaspati janë shprehur kolegët e tij artistë. 

“Dhimbje e thellë humbja e mikut tim, kolegut tim të dashur e shpirtbardhë, Shpat Kasapi!”, ka shkruar këngëtarja Rovena Stefa.

Këngëtarja Big Mama e ka quajtur të trishtueshëm  lajmin për vdekjen e Kasapit. 

“U zgjova me lajmin më të trishtë dhe ma këpute shpirtin. Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembin më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë vëlla”, ka shkruar këngëtarja. 

Ngushëllime ka shprehur edhe këngëtari Ermal Fejzullahu. 

“E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me të, të cilat do t’i ruaj tanë jetën”, ka shkruar ai. 


Kurti i shpreh ngushëllime familjes së Shpat Kasapit: Muzika e tij bashkoi shqiptarët gjithandej botës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes së këngëtarit të ndjerë Shpat Kasapi. Kasapi vdiq të mërkurën pas një sulmi në zemër. 

Përmes një telegram ngushëllimi, Kurti shkroi se një ikje e tillë, e papritur dhe e parakohshme, dhemb shumë dhe vjen si e padrejtë.

“Humbja e tij na ka prekur të gjithëve, pa marrë parasysh profesionet apo gjeneratat. Shumë breza të pasluftës janë rritur me figurën e tij dhe këngët emblematike. Ai ka mbajtur një vend të veçantë në zemrat e të gjithëve si një djalë punëtor, i qeshur, dhe mbi të gjitha, shumë karizmatik”, thuhet në telegramin e ngushëllimit. 

Ai shkroi se muzika e Shpat Kasapit ka arritur t’i bashkojë shqiptarë gjithandej botës, por më së shumti ka bashkuar shqiptarët e Kosovës e të Luginës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

“Ngushëllime gjithë familjes Kasapi, komunitetit artistik, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ngushëllime zonjës Gjylymser, zonjës Selvije dhe djalit Roel. Zoti u dhashtë forcën për të përballuar këtë humbje”, thuhet në telegramin e kryeministrit Kurti.