Aktori i njohur i filmave aksion, 57-vjeçari Vin Diesel, ka treguar për kushtet që i ka dhënë për rikthimin e tij në finalen e “Fast and Furious”, raporton "Female First".
Duke folur në “Fuel Fest” në Kaliforni gjatë fundjavës, Vin Diesel ka thënë se një nga kushtet ka qenë rikthimi i personazhit të Brian O’Conner, policit të shndërruar në pjesëmarrës të garave të rrugës me vetura, i cili ishte luajtur nga aktori i ndjerë Paul Walker. Walker vdiq në një aksident me veturë në vitin 2013.
“Studioja më pyeti mua, ‘Vin, a mund ta kemi finalen e ‘Fast and Furious’ në prill të vitit 2027?’ Unë u thashë atyre, ‘nën tri kusht’. E para, ta kthejmë atë në LA! E dyta të ktheheshim në kulturën e makinave, në garat e rrugës me vetura! Gjëja e tretë ishte ribashkimi i Dom dhe Brian O’Conner”, tha Vin Diesel, që në “Fast and Furious” luan personazhin e Dominic “Dom” Torettos.
Nuk është e qartë se si mund të rikthehet personazhi i Brian O’Conner. Vin Diesel nuk tregoi nëse do të përdoreshin pamjet nga arkivi apo do të bëhej ndonjë krijim digjital.
Filmi i fundit ishte “Fast X”, që u publikua në maj të vitit 2023 dhe fillimisht u reklamua si një sagë me dy pjesë. Por, tash është e paqartë nëse “Fast 11” do ta vazhdojë atë histori, pas një vonese kaq të gjatë.
Alan Ritchson ishte një prurje e re në “Fast X” si agjenti Aimes dhe ai së fundi pranoi se filmi i ardhshëm është vonuar pasi duhet kohë e gjatë për t’i koordinuar oraret e yjeve të këtij filmi, siç janë Dwyane Johnson dhe Jason Momoa.