Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Yjet e Hollywoodit kundërshtojnë bashkimin e “Paramountit” me “Warner Bros.”

Hollywoodi kundër bashkimit të "Paramount" me "Warner Bros."

Hollywoodi kundër bashkimit të "Paramount" me "Warner Bros."

Foto: Associated Press

Më shumë se 1.400 aktorë, regjisorë dhe krijues filmash në Hollywood kanë dalë kundër bashkimit të propozuar mes studiove “Paramount” dhe “Warner Bros Discovery”, ka raportuar BBC.

Në një letër të hapur, e nënshkruar nga emra të njohur si Emma Thompson, Ben Stiller, Javier Bardem dhe Rose Byrne, ata paralajmërojnë se ky bashkim mund të dëmtojë rëndë industrinë e showbizit në SHBA, e cila tashmë po përballet me vështirësi.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ky transaksion do ta përqendrojë edhe më shumë një treg mediatik që tashmë është i përqendruar, duke ulur konkurrencën në një moment kur industria dhe publiku kanë më shumë nevojë për të”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ata argumentojnë se bashkimi, i vlerësuar rreth 111 miliardë dollarë, do të zvogëlojë numrin e studiove të mëdha filmike në SHBA në vetëm katër. Kjo, sipas tyre, do të thotë më pak vende pune, më pak mundësi për krijuesit dhe më pak zgjedhje për publikun.

“Rezultati do të jetë më pak mundësi për krijuesit, më pak vende pune në të gjithë industrinë, kosto më të larta dhe më pak zgjedhje për audiencën në SHBA dhe në mbarë botën”, thuhet tutje në letër.

Mes atyre që kanë nënshkruar këtë letër janë edhe Kristen Stewart, Glenn Close dhe shumë yje të tjerë, ndërsa lista vazhdon të rritet.

“Bashkimet në Hollywood do të thonë më pak filma dhe më pak seriale, dhe kjo do të thotë më pak vende pune. Kur dy studio të mëdha janë nën një kompani, rezultati është i qartë, njëra prej tyre bëhet një ‘qytet fantazmë’. Jam i shqetësuar. Por nuk jam fantazmë. Dhe një betejë humbet që nëse nuk luftohet”, ka reaguar regjisori Damon Lindelof përmes një postimi në rrjete sociale.

Nga ana tjetër, “Paramount” është përgjigjur duke thënë se mbështet krijuesit dhe se bashkimi do të sjellë më shumë mundësi, jo më pak.

“Do të kemi mundësi të financojmë më shumë projekte, të mbështesim ide të guximshme dhe të ndihmojmë talentet në çdo fazë të karrierës së tyre”, thuhet në reagimin e kompanisë.

Ata shtojnë se planifikojnë të prodhojnë të paktën 30 filma cilësorë në vit dhe të ruajnë pavarësinë kreative të brendeve të njohura.

Megjithatë, marrëveshja ende nuk është përfundimtare. Ajo duhet të miratohet nga aksionarët dhe nga autoritetet rregullatore në SHBA.