Këngëtari i njohur Yll Limani ka marrë vendim që gjatë këtij viti të mos realizojë performanca në klube, ka njoftuar “Three60 Music”.
Kompania ka thënë se vendimi i Limanit ka ardhur si “rezultat i një reflektimi të thellë artistik dhe krijues, dhe nuk përfaqëson largim nga muzika apo nga skena që e ka ndërtuar karrierën e tij ndër vite”.
“Klubet kanë qenë dhe mbeten një pjesë thelbësore e historisë së Yll Limanit, hapësira ku muzika e tij është rritur, është ndarë dhe është përjetuar ngushtë me publikun. Megjithatë, ky është një moment për pauzë të qëllimshme, për fokus dhe për përgatitje. Një hap i nevojshëm për të krijuar hapësirë për projekte që kërkojnë kohë, qartësi dhe një formë tjetër prezantimi artistik. Ky vendim nuk është fund, por tranzicion. Jo distancim nga publiku, por përgatitje për një takim ndryshe. Jo ndalim, por një frymëmarrje e re krijuese”, ka thënë “Three60 Music”.

Kompania ka thënë se ky është fillimi i një etape të re artistike.
“Three60 Music dhe Yll Limani po punojnë intensivisht në zhvillimin e formateve dhe projekteve të ardhshme, të cilat do të komunikohen në kohën e duhur. Falënderojmë publikun, partnerët dhe gjithë skenën muzikore për mbështetjen e vazhdueshme, mirëkuptimin dhe energjinë e dhënë ndër vite. Ky është fillimi i një etape të re artistike”, ka njoftuar kompania.
E Limani në një njoftim ka treguar arsyet për këtë "pauzim".
“Për shumë vjet, jemi taku gati [do fundjavë n’klube të ndryshme, gjithkah ku ka pasë njerëz që e duan muzikën time. Prania e juve, energjia, afërsia dhe dashnia që ma keni dhënë, më gëzojnë zemrën dhe jam falënderues pafund! Tash, kam vendos me u ndal pak. N’vitin 2026 nuk kom me mbajt performanca n’klube. Jo pse po largohna prej muzikës ose klubet s’janë pjese e rëndësishme e historisë sime; Klubet janë vendi ku muzika ime është rritur, ku kam kënduar bashkë me juve, edhe ku kam kujtime t’paharrueshme. Por, po besoj që muzika jem edhe ata që e duan, meritojnë më shumë. Disa këngë s’janë të bëra për klube. Disa momente lypin një hapësirë tjetër për me u ndje qysh duhet”, tha Limani.