Duke zbërthyer dhe duke e interpretuar botën e miteve nga një perspektivë e demitizimit, Jusuf Buxhovi projekton një vizion dhe një interpretim tjetër të funksionit të artit e të artistit, një vizion origjinal, i cili përmbys një sistem tradicional dhe të etabluar të vlerave! Në përpëlitjet e tij morale e shpirtërore për t’u çliruar nga obsesioni se sado aktor i madh, i adhuruar dhe i radhëve të para, kishte qenë pjesë e një establishmenti, i cili e kishte instrumentalizuar energjinë e tij krijuese duke interpretuar role heronjsh, që, qysh nga antika e mitet e saj, edhe mund të mos ishin të tillë. Jusuf Buxhovi, “Lufta e fshehur, Anteu”, “Faik Konica”, “Jalifat Publishing”, Prishtinë, 2026
Që në fillim të kësaj analize të shkurtër me fokus në aspektin tipologjik, dua të them se derisa për “Luftën e fshehur” mund të thuhet, në planin tipologjik e në rrafshin përmbajtjesor, se është roman psikologjik i luftës, kurse në atë struktural, formal të organizimit të përmbajtjes është roman i hapësirës, për romanin apo prozën “Anteu” mund të them se është, krahas potencialit tjetër tipologjik, roman tipik i kohës, në atë kuptimin që Bahtini i jep nocionit të kronotoposit, që integron kohën dhe hapësirën, me mbizotërimin dhe funksionalizimin artistik të njërit apo të tjetrit dimension – kohës ose hapësirës! Derisa te “Lufta e fshehur” takohemi me një numër pazakonshëm të madh të toponimeve të një qyteti të vogël me rrethinë dhe, po ashtu, me një numër relativisht të madh të personazheve, që sigurisht se funksionalizohen, tek Anteu kemi pak, fare pak toponime (e edhe personazhe) – e kemi Gjakovën me krejt pak toponime dhe, mbi të gjitha, kemi banesën e një aktori dhe pasqyrën në këtë banesë, një nga emblemat kryesore të kësaj proze, përballë të cilës kryepersonazhi kalon një pjesë të madhe të kohës, mbase pjesën më të madhe të jetës së tij shpirtërore e artistike në prag të përvjetorit të dyzetë, të përvjetorit lamtumirës, të karrierës së tij artistike!
Para se të përpiqem për të rindërtuar portretin e kryepersonazhit nga këndvështrimi i analizës kritike, dua të them se, strukturalisht, proza është e ndarë në dy pjesë apo dy pamje – që zhvillohen, kohësisht, brenda dy javësh, secila prej pamjeve nga një javë, nga dita në ditë, si një ditar kronologjik dhe shpirtëror i përpëlitjeve, i thyerjeve, i dilemave, i akuzave e vetakuzave, i përplasjeve reale e imagjinare me vetveten e me realitetin e jashtëm në kohën kur aktori numëron ditët e orët kur perdja artistike e teatrit do të bjerë për herë të fundit për të dhe kur bën përpjekje titanike që me shfaqjen e tij lamtumirëse të ndahet denjësisht nga publiku. E vërteta është se, ndërsa përpiqet të marrë përsipër rolin e dramaturgut, të regjisorit e të aktorit në shfaqjen e tij finale kur gjakon, e pakta në finalen teatrore, të jetë vetvetja si artist e si njeri, qytetar, ai, përmes një retrospektive jetësore e artistike të llojit të vet, që zhvillohet gjatë shtatë ditëve, përkatësisht dy javëve në të dyja variantet, kalon nëpër një kalvar psikologjik e moral, nëpër gjendje psiko-afektive të njohjes e të vetënjohjes torturuese për atë që ishte e çka përfaqësonte dhe për atë që nuk ishte e do të donte të ishte si aktor e si njeri. Megjithëse aktor me nam e i njohur, megjithëse aktor gjerësisht i pranuar deri në adhurim nga publiku dhe establishmenti artistik e politik, kryepersonazhi ndodhet para një thyerjeje të rëndë psikologjike dhe morale, kur ndërgjegjja e tij, i ndodhur para pasqyrës e në dialog me veten, i troket me qortim e mosbesim: ”Ah’, klithi pasqyra, “Në jetë je njeri...Ndërsa në skenë je aktor... Je palaço...Je kameleon...Je sharlatan...Jokurrizor dhe çmos nga bota e gazit... Në kujtesën e shikuesve mbetesh i tillë...Mund ta luash Anteun në mënyrë të përkryer, por tragjikja e Anteut tënd do të përjetohet si një farsë” (f. 144). Këto janë fjalët që ia pëshpërit pamëshirshëm ndërgjegjja aktorit, që e përcjellin deri në obsesion psikologjik torturues, nga ankthi, nga i cili nuk mund të shkëputet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMidis përpëlitjeve, mëdyshjeve dhe (vet)akuzës morale e artistike
Le t’u kthehemi edhe njëherë përpëlitjeve, mëdyshjeve, çarjes së brendshme të artistit, të dialogëve të tij torturuese me vetveten: ”Megjithatë, nuk dua të përfundoj si palaço... Edhe nëse vetëvritesh, në skenën e komedisë mbetesh palaço...” ‘Sidoqoftë, nga skena nuk do të largohem si palaço, por si Ante...Këtë ia kam borxh vetes...’/ ‘Kot e ke, kot...” (144/5)) Siç mund të shihet e të merret me mend, këto fjalët e fundit Artisti i thotë me dhembje, me dëshpërim e zhgënjim, me ironi e vetironi dhe, sado në thellësitë e tij gjakon të ndahet nga publiku si një Ante, fjalët “Kot e ke, kot...” shpalojnë përpjekjet e pafuqishme të tij në kohën kur imazhi për të te publiku e tek establishmenti është imazhi i stabilizuar si për artistin i cili jetën e tij aktoriale e bën sipas kërkesave të elitës politike të kohës.
Derisa pamja e parë e Anteut është një zbërthim, para së gjithash, psikologjik i shpirtit të trazuar të një aktori, i përpëlitjeve, i dilemave, i gjakimeve dhe konflikteve intrapsikike dhe, së këndejmi, mund të klasifikohet si prozë e thellë psikologjike, pamja e dytë e Anteut realizohet në shenjë të prozës meditative, që lëviz midis skajit politik dhe filozofik. Në epiqendër kemi Aktorin, me po atë situatë jetësore të përgatitjes së Rolit të Posaçëm, të rolit final, me të cilin, në përvjetorin e dyzetë, përshëndetet me publikun, por kemi një anë tjetër të medaljes – çështjen e artit, të funksionit të artit, të artit teatror e aktorial si çështje e manipulimit, si tjetërsim dhe si falsifikim i realitetit. Artisti, në obsesionin dhe gjakimin e tij të përgatitjes së rolit të veçantë, me të cilën mbyll karrierën e tij, i ndërgjegjësuar, pas kalimit nëpër filtrat e një katarsisi moral e psikologjik, synon, me krejt qenien e tij, të rindërtojë portretin dhe imazhin për vetveten si për njeriun e artistin. I njohur dhe i adhuruar për rolet e tij të heronjve, që artikulonin guximin dhe sakrificën, në një moment të zgjimit të ndërgjegjes, ajo, ndërgjegjja, i pëshpërit pamëshirshëm duke e qortuar dhe akuzuar, drejtpërdrejt e tërthortë: “I mbërthyer nga duartrokitje të gjata në skenë nga spektatorët e rreshtave të parë, që kremtonin heroin ngaqë me të mbronin ose zgjeronin pushtetin, si dhe nga duartrokitjet e shtresës, që sakrifica dhe vetëm sakrifica ia krijon iluzionin e ndryshimit të gjendjes për të mirë, ishte ndier në rolin e një mashtruesi të dyfishtë...” (f.157)
Në shenjë të prozës meditative
Duke zbërthyer dhe duke e interpretuar botën e miteve nga një perspektivë e demitizimit, Buxhovi projekton te Pamja e Dytë e Anteut një vizion dhe një interpretim tjetër të funksionit të artit e të artistit, një vizion origjinal, i cili përmbys një sistem tradicional dhe të etabluar të vlerave! Në përpëlitjet e tij morale e shpirtërore për t’u çliruar nga obsesioni se, sado aktor i madh, i adhuruar dhe i radhëve të para, kishte qenë pjesë e një establishmenti, i cili e kishte instrumentalizuar energjinë e tij krijuese duke interpretuar role heronjsh, që, qysh nga antika e mitet e saj, edhe mund të mos ishin të tillë (sepse ishin inskenime në funksion e në interes të Olimpit e perëndive të tij), Aktori, në një moment të vëzhgimeve të tij, e përjeton vetveten, jetën dhe artin e tij, në një mënyrë të veçantë: “Artistit iu duk se roli i Anteut, në fund të karrierës, mbase mundësonte një pastrim të tillë shpirtëror, por nuk ishte në gjendje që t’i ndryshonte raportet midis jetës si skenë dhe skenës si jetë, ku aktrimi ishte në të dy anët...” (f. 146). Përjetimet e këtilla artikulojnë, e pakta, dy gjëra: e para, pafuqinë e artistit për të ndryshuar realitetin, marrëdhëniet midis jetës e artit, sepse realiteti, qoftë ai i skenës, qoftë ai i jetës, krijohej e kontrollohej nga forcat e pushtetit, dhe, e dyta, shpalos homo dupexi-in, njeriun e dyfishtë, njeriun i cili, që të mund të mbijetojë e të jetojë, aktron edhe në skenë e edhe në jetë, pa mundur për të qenë vetvetja e tij autentike! Në një nga vëzhgimet meditative të Artistit të pamjes së dytë të Anteut, e cila shquhet për tonin e thellë filozofik dhe politik, për një qasje demistifikuese ndaj miteve dhe iluzioneve të mbjella historikisht, në kohën kur krijimi i miteve dhe vetë mitet kanë qenë e janë në funksion të mistifikimit të realitetit, Artisti, me një revoltë e pakënaqësi me vetveten e me jetën e tij, kur nuk mund të ishte regjisor, por vetëm një aktor që luante sipas udhëzimeve të regjisorit, i flet vetvetes: ”Ka dyzet vjet që në skenë luaj sipas dëshirës dhe urdhrit të regjisorëve, si hero, komandant, çlirimtar e çmos të kësaj natyre, ndërkohë që në jetë ata shihen ndryshe, për të kundërtën madje...Dëshiroj që për të fundmen herë në skenë të luaj rolin që e dua, vetveten e lirë...”(f. 154).
Në fund të kësaj analize, dëshiroj të theksoj apo të ritheksoj në dimension të prozës së Jusuf Buxhovit, karakteristik për të dyja prozat që kemi para vetes – atë tonin meditativ, që kufizon me shestime e përfundime thellësisht filozofike, që kufizon me një diskurs letrar e filozofik, në njërën anë, dhe zbërthimet e thella psikologjike të botës së kryepersonazheve, që jo rrallë, kombinohen me një ton filozofik, dimensione këto që e pasurojnë, jo vetëm prozën e këtij autori, por edhe prozën bashkëkohore shqiptare. Po ashtu, fare në fund, nuk mund të mos e ritheksoj edhe atë që e kam thënë fare në fillim të kësaj analize, një tipar tjetër të përbashkët të të gjithë prozës artistike të Jusuf Buxhovit: atë tiparin e origjinalitetit krijues, qoftë me temat e motivet që shtjellohen, qoftë me idetë dhe filozofinë që projektojnë e përçojnë, qoftë me prosedeun letrar e artistik, me të cilin formësohen.