Ai ia dha besën Kryeministrit serb se do të lejonte ushtrinë serbe të tërhiqej nëpër territorin shqiptar në rast nevoje. Me marrëveshjen e Nishit të 4 shtatorit, 1914 (neni 7) shkohej deri atje sa “parashihej praktikisht edhe Unioni real i Serbisë me Shqipërinë”(fq. 248). Në këtë marrëveshje, për të cilën historianët shqiptarë ia shohin për të madhe Esad Pashës dhe e fusin në kallëpin e “Kryetradhëtarit” të kombit shqiptar, ky i fundit merr detyrim për besim të posaçëm
Në librin e Sreten Drashkiqit, “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)”një çështje që zë bukur shumë hapësirë, janë takimet, marrëveshjet dhe miqësitë në mes të Esad Pashë Toptanit dhe Kryeministrit serb, Nikolla Pashiq. Autori citon Pashiqin, i cili kishte thënë se “Shqipëria për Serbinë është thembër Akili!” dhe konsideronte se “çdo rezistencë që bëhet në Shqipëri ndaj Turqisë, është në favor të Serbisë!”
Sipas Drashkiqit dueti Esad Pasha-Nikolla Pashiqi ishte një duet që funksionoi mirë. Në marrëveshjen Pashiq-Esad, vërehej një liberalizim i Pashiqit ndaj shqiptarëve, por edhe i Esadit ndaj serbëve, sepse Esad Pasha ia dha besën Kryeministrit serb se do të lejonte ushtrinë serbe të tërhiqej nëpër territorin shqiptar në rast nevoje. Me marrëveshjen e Nishit të 4 shtatorit, 1914 (neni 7) shkohej deri atje sa “parashihej praktikisht edhe Unioni real i Serbisë me Shqipërinë”(fq. 248). Në këtë marrëveshje, për të cilën historianët shqiptarë ia shohin për të madhe Esad Pashës dhe e fusin në kallëpin e “Kryetradhtarit” të kombit shqiptar, ky i fundit merr detyrim për besim të posaçëm ndaj kësaj marrëveshjeje.
Besa dhe mashtrimi i dy figurave shqiptare
Kjo ishte ajo besa e famshme, që përmendet në disa burime historike, shkruan Drashkiq. Pashiqi si diplomat dinak që ishte, arriti t’i mashtrojë dy figura të mëdha të kombit shqiptar, të dy udhëheqës të shquar, dajë e nip që ishin. Në vitin 1914 e mashtroi duke e plandosur në shtratin e tradhtisë, Gjeneralin Esad Pashë Toptanin, kurse 10 vjet më vonë, Mbretin Ahmet Zogun, duke i ndihmuar të kthehet në pushtet në dhjetor, 1924, duke ia dhuruar Shën Naumin dhe Vermoshin.
Në përpjekje për të shpëtuar Esad Pashën në Qeverinë e Durrësit, divizionet serbe depërtuan deri në Tiranë e Durrës dhe në fshatin Burganjet, ku kishte lindur Ahmet Zogu, kolonelët serbë Damjan Popoviq dhe Millutin Mishkoviq, i dhuruan Zogut një top për t’u mbrojtur nga “qamilistët”.
Protokolli i takimit të 28 qershorit, 1915 e vinte pozitën e Esad Pashës në cilësi servili ndaj Pashiqit në 11 pika të marrëveshjes: 1. Me marrëveshjen e Nishit parashihej rishikimi i kufirit; 2. Krijimi i Unionit Serbi-Shqipëri; 3. Esad Pasha të zgjidhej princ në Shqipëri; 4. Qeveria serbe të marrë pjesë në hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë; 5. Njerëzit e Qeverisë së Esadit të ndihmonin në forcimin e Unionit Serbi-Shqipëri; 6. Serbia do të jepte instruksione për organizimin e xhandarmërisë shqiptare; 7. Nëpunësit shqiptarë të Doganës, të dërgohen për kurse në Doganën e Serbisë dhe ligji doganor shqiptar t’i përshtatej atij serb; 8. Esad Pasha të kërkojë ndihmë nga Serbia për organizimin e Administratës së shtetit; 9. Ndihma që do t’i jepej Qeverisë shqiptare do të shkojë dhe regjistrohet si borxh ndaj shtetit shqiptar; 10. Parashihej ndërtimi i rrugës deri në Elbasan e një kahe deri në Durrës e Tiranë. Kjo rrugë do të bëhej me shpenzimet e qeverisë serbe; 11. Bashkëpunimi i Esad Pashës me Serbinë për Durrësin. Nëse Esad Pasha informohet se Italia synon pushtimin e Durrësit të njoftojë Qeverinë serbe që të pengohet pushtimi italian. Dhe e gjithë kjo “ndihmë” që parashihej për Shqipërinë, parashihej që të shtrohej rruga për daljen e Serbisë në Adriatik, ëndërr kjo e kahershme pansllave, e veçmas serbe.
Traktati i fshehtë për copëtimin e serishëm të Shqipërisë
Qeveritë e Fuqive të Mëdha në bashkëpunim me shtetet fqinje rreth Shqipërisë, edhe pse e kishin cunguar e copëtuar trojet shqiptare, në KA në vitet 1912-13, nuk u kënaqën, por sërish me mekanizmat e tyre në fshehtësi të plotë krijuan më 13 prill 1915 Traktatin e fshehtë të Londrës, që të copëtohej edhe njëherë Shqipëria, ajo që kishte mbetur dhe bregdetin ta pushtoj Italia, Veriun e Shqipërisë ta marr Serbia me Malin e Zi, kurse Jugun Greqia. Vetëm Shqipëria e mesme do të mbetej një “shtet autonom mysliman shqiptar”(harta 12, fq. 265).
Ky traktat, të cilin e përmend Drashkiqi në veprën e tij, vështirë është të përmendet në historiografinë serbe, greke e italiane si dhe kreatorët e tij, sepse nxjerrë katërçipërisht fajtorë dhe me duar të ndyra, ata që projektonin zgjerim territoresh në kurriz të popujve të vegjël e në dëm të tyre dhe nga të gjitha këto traktate të fshehta u gjykuan si të dëmshëm nga historianët objektivë pa marrë parasysh prejardhjen dhe orientimin.
Pas KA, Shqipëria sërish u ripushtua dhe u nda në principata, asnjëherë pa pasur qeveri stabile dhe pa ushtruar sovranitet mbi territorin e saj. Trupat italiane në fillim të vitit 1915 pushtuan Vlorën; ushtria malazeze më 26 gusht 1915 pushtoi Shkodrën dhe Shëngjinin, që zgjati deri më 15 janar 1916. Austro-Hungaria shtoi trysninë mbi Esad Pashën, duke i ofruar edhe shuma parash dhe ushtri që ta sulmojë ushtrinë serbe në tërheqje. Por, Esad Pasha i qëndroi besnik mikut (Pashiqit) dhe nuk e bëri këtë. Nga fundi i nëntorit 1915 edhe forcat bullgare në kuadër të LPB, hynë në Kosovë. Trupat serbe nuk mund të ktheheshin në vendin e tyre, prandaj edhe këtu atyre u erdhi në ndihmë Esad Pasha që i lejoi të tërhiqen forcat serbe nëpër Shqipëri në dimrin e ashpër, ku mijëra ushtarë dhe refugjatë serbo-malazezë vdiqën deri në Korfuz e Selanik. Esad Pasha nuk e pranoi as trysninë ndërkombëtare, as atë turke, madje as dënimin me vdekje që të sulmonte ushtrinë serbe duke kaluar nëpër Shqipëri.
“Nëpër Shqipëri po kalon ushtria serbe...”
Edhe vet Princi regjent serb, Aleksandër, kishte ikur nga Serbia dhe kishte kërkuar strehim tek Esad Pasha, duke u vendosur në Rezidencën e tij në fshatin Rreth, gjë të cilën e kishte pranuar edhe vetë Mbreti Aleksandër. Kështu, për shkak të miqësisë me serbët, Esad Pashë Toptani prishi marrëdhëniet me austro-hungarezët, të cilët kishin mundësuar shpalljen e shtetit shqiptar. Çmenduria e Esad Toptanit shkoi deri atje sa t’i shpallë luftë Perandorisë Austro-Hungareze, që ishte tanimë në shkatërrim në fund të Luftës së Parë Botërore.
Madje, si mik i tyre që ishte, Esad Pasha për ushtrinë dhe refugjatët serbo-malazezë dhe këtë urdhër për popullatën vendëse: “Dëgjoni shqiptarë dhe turq! Nëpër Shqipëri po kalon ushtria serbe! Ushtria si ushtri, do të kërkojë nga Ju të blejë ushqime. Ushtarët serbë nuk kanë para të tjera, përveç kartëmonedhave serbe prej dhjetë dinarësh. Dijeni se ajo është e barabartë me mexhedien turke. Dhe kush përpiqet ta refuzojë vlerën e saj, do të digjet aty ku askush nuk digjet!” (fq. 273).
Pas një qëndrimi gjashtëmujor nëpër Shqipëri e Greqi, Cari rus, intervenoi duke u kërcënuar se do të dalë nga Aleanca trepalëshe nëse nuk ndihmohet të shpëtohet ushtria dhe refugjatët serbë. Pas golgotës së ikjes nëpër Shqipëri, kishin pësuar mbi 70 mijë ushtarë serbë e malazezë dhe rreth 1/3 e 200 mijë prej tyre refugjatë, po ashtu kishin vdekur rrugës nga të ftohtët, uria dhe lodhja.
Austro-Hungaria pas tërheqjes së ushtrive të tjera nga Shqipëria, kishte bërë plane për mëkëmbjen e administratës shtetërore, njësoj sikurse edhe Bullgaria në pjesën perëndimore të Maqedonisë. Ministër arsimi ishte emëruar Luigj Gurakuqi kurse i financave, Fejzi bej Alizoti.
Gjatë LPB-së, Shqipëria e tëra ishte anarki, pa asnjë Qeveri vendore. Kështu pas nënshkrimit të armëpushimit dhe tërheqjes së trupave të huaja, sipas vijës së Gjeneralit francez, Franshe d’Espere, situata në Shqipëri ishte kështu:
1.Trupat serbe mbanin bregun e majtë të lumit Drin në verilindje të Shqipërisë, sepse kjo zonë mbeti jashtë vijës së armëpushimit;
2. Shkodrën e mbanin trupat ndërkombëtare, të përbëra nga trupa italiane, franceze e angleze, kurse komandën e kishte Gjenerali Defurt;
3. Gjithë Shqipërinë e Veriut, të Mesme dhe të Jugut brenda kufijve të vijës së armëpushimit, e mbanin trupat italiane, (përveç Korçës), ku francezët kishin shpallur “Republikën e Korçës”;
4. Sektorin e Korçës, Pogradecit dhe Stavrovës e mbanin trupat franceze.
Sërish në Durrës, nga 25 dhjetori 1918 deri më 22 shkurt 1920, u formua edhe funksionoi ashtu siç mundi Qeveria e Durrësit, ku u zgjodh një qeveri të pasurish dhe njerëzish autoritativë. Delegatët e kësaj Qeverie, të zgjedhur për Konferencës së Paqes në Paris, dr. Mihail Turtuli, Mid’hat Frashëri dhe dom Luigj Bumçi kërkuan më 7 mars 1919 nga Konferenca e Paqes, që në tokat e mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë nga Konferenca e Ambasadorëve, të shpallet plebishit dhe të deklarohet populli se me cilin shtet do të jetojë, apo mos jetojë.
Ngjarja e themelit të shtetit shqiptar
Në kontekstin e kësaj kohe të bujshme e përplot ngjarje, Drashkiqi nuk lë pa përmendur një ngjarje që i vuri themelet e shtetit shqiptar, që është Kongresi i Lushnjës më 28 janar 1920, i kryesuar nga Aqif Pashë Biçaku, që solli këto vendime të rëndësishme:
Të sigurojë autonominë e plotë të Shqipërisë dhe të forcojë Unitetin e saj;
Ta rrëzojë Qeverinë e Durrësit si pro-italiane;
Ta ndryshojë përbërjen e delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, duke larguar delegatët Luigj Gurakuqi e Gjergj Fishta (nuk thuhet e dihet pse?!!! E. Zh. ), si përfaqësues shkodranë;
Që Delegacioni i Konferencës së Paqes të kërkojë kufijtë natyrorë etnikë shqiptarë, që në Kongresin e Berlinit dhe Konferencën e Ambasadorëve në Londër, iu dhanë shteteve fqinje;
Të mos pranohet asnjë protektorat i huaj mbi Shqipërinë.
Kongresi i Lushnjës së fundi zgjodhi edhe Qeverinë e re në krye të së cilës ishte Sylejman Delvina dhe gjashtë Ministra tjerë. Kjo qeveri më 11 shkurt, 1920 mori vendim dhe prej 12 shkurtit, kryeqytet i Shqipërisë të bëhet Tirana.
Para se të vendoseshin kufijtë e sotëm të Shqipërisë, pra vitet 1920-21 ishin përplot ngjarje, që shpesh, shikuar me dioptrinë e sotme dalin si patologji e jona shqiptare, që i përshkruan bukur Sreten Drashkiqi. Të tilla janë: themelimi i Republikës së Mirditës; vrasja e Esad Pashë Toptanit në Paris nga Avni Rrustemi më 13 maj, 1920; demarkimi i kufirit me Serbi dhe zona neutrale e Junikut; paraqitja e dy Qeverive në Konferencën e Paqes në Paris (ajo legjitime e Kongresit të Lushnjës, dhe ajo në ekzil e Esad Pashë Toptanit, që nuk përfaqësonte askënd).
Shpëtimi i Shkodrës nga Mali i Zi
Është edhe një rast i rëndësishëm, që në librin e tij e përmend Drashkiqi, dhe nëse ka ndodhur vërtetë kështu, Fuqive të Mëdha duhet ditur për nderë, që trysnia e tyre na e ka shpëtuar Shkodrën Loce, që të mos na e merrnin malazezët. Edhe në Kongresin e Berlinit, edhe në Konferencën e Ambasadorëve në Londër është përmendur si mundësi që Shkodra t’u kalojë malazezëve, që është dhe mbetet djep i kulturës shqiptare. Në vitin 1919 sërish u diskutua që Shkodra t’i kalojë Malit të Zi. Fuqitë e Mëdha i paraqitën kërkesë ultimative Delegacionit të Mbretërisë SKS që të heqë dorë nga Rijeka, për të marrë Shkodrën, ndryshe nuk mund ta marrin. Ose, ta lënë Shkodrën, e ta marrin Rijekën në Kroaci, që e kërkonin italianët, Fjumen e tyre të dashur, ose ta mbajnë Rijekën e të heqin dorë nga Shkodra. Edhe pse Pashiqi në shpirt ishte për ta marrë Shkodrën, ai nuk mund ta pranonte këmbimin e Rijekës me Shkodrën. Dhe kështu, Shkodra mbeti e Shqipërisë. (fq. 319-20).
Që të mos copëtohej sërish Shqipëria nga marrëveshjet e fshehta, e mosmarrëveshjet e hapura, traktatet legale e ilegale, që bëheshin në kurriz të popullit të pambrojtur shqiptar, ndikoi qëndrimi dhe grushti i fortë dhe i vendosur i presidentit amerikan, Woodrow Vilson, i cili kur ishte nisur prej SHBA-së, i kishte premtuar Nolit se: “Amerika e ka një votë në këtë Konferencë dhe atë do ta japë në mbrojtje të shqiptarëve!”
Përndryshe, situata e viteve 1912-21, kur u vendosën kufijtë përfundimtarë të Shqipërisë së sotme, për lexuesin dhe studiuesin e vëmendshëm të librit të Sreten Drashkiqit “Evropa dhe çështja shqiptare (1830-1921)”, me aktorë të njëjtë, BE-në tanimë të transformuar dhe pjesëmarrës të njëjtë në konflikt, me gjendje të ndryshme (me Serbinë gjakatare dhe shkaktare të katër luftërave në ish-RSFJ dhe një realitet të ri, Kosovën dikur e shtypur, sot e lirë dhe e pavarur, pra është një situatë analoge me atë para një shekulli dhe sërish Bashkësia Ndërkombëtare i bënë elozhe fajtorit pse është më i fortë dhe kërkon kompromise prej viktimës. Shqiptarët dhe Kosova mjaft kanë dhënë kurbane. Këtë duhet ta kuptojnë miq dhe armiq. Ende për 1/10 e kufomave të luftës së fundit nuk e dimë ku janë.